E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca, Dule mban peng të majtët

13/05/2009  Drejtuesit e partive opozitare ende nuk kanë nënshkruar marrëveshjen

PS, PSD, PDS dhe G99 kanë zyrtarizuar koalicionin “Bashkimi për Ndryshim”

Marrëveshja “Bashkimi për Ndryshim” nuk mundi të nënshkruhej gjatë pasdites së djeshme, duke mbetur peng i qëndrimit zyrtar të PBDNJ-së, së drejtuar nga Vangjel Dule. Krerët e katër partive të majta, që do të jenë pjesë e koalicionit parazgjedhor Bashkimi për Ndryshim, u detyruan të dilnin nga skenari i përgatitur për ceremoninë e firmosjes së dokumentit që do të zyrtarizonte këtë aleancë. Kështu, kreu i PS-së, Edi Rama, ai socialdemokrat, Skënder Gjinushi, kryetari i PDS-së, Paskal Milo si dhe drejtuesi i G99, Erion Veliaj, jo vetëm që nuk hodhën firmat në këtë dokument, por u detyruan që të mbanin fjalët përshëndetëse gjatë takimit edhe pse realisht nuk pati marrëveshje. Prej ditësh, Partia Socialiste i drejtoi një ftesë Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, për të qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor të drejtuar nga socialistët, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Por duke qenë në limitet e afatit që përcakton Kodi Zgjedhor, krerët e majtë duhej që formalisht të nënshkruanin marrëveshjen, për të rregjistruar më pas në KQZ koalicionin e tyre, nën siglën e të cilit do të garojnë për zgjedhjet parlamentare. Kësisoj, partitë të cilat kishin deklaruar zyrtarisht që do të ishin pjesë e këtij koalicioni vendosën nënshkrimin e marrëveshjes pikërisht gjatë ditës së djeshme. Por ndërkohë këto parti e sidomos lidershipi i Partisë Socialiste ishte në pritje dhe të pranisë së kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, pasi jo zyrtarisht kishte dhënë sinjale për tiu bashkuar kësaj aleance. Për këtë arsye, Partia Socialiste priste ardhjen e PBDNj-së për të firmosur dokumentin, por përballë mungesës së saj dhe pas pritjes së gjatë që iu desh të përballonte, lidershipi socialist preferoi që të kalonte nënshkrimin e marrëveshjes gjatë ditës së sotme. Ndërkohë, në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, aty ku ishte ideuar organizimi i kësaj ceremonie, partitë e majta, PS, PSD, PDS dhe G99 kanë zyrtarizuar koalicionin e tyre për në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Gjatë fjalës së tyre, krerët e ketij koalicioni u shprehën të bindur se ky koalicion do ti sjelli Shqipërisë ndryshimin e shumëpritur, duke e larguar nga politika e vjetër. “Ne jemi këtu sot për të sjellë ndryshimin. Kur një fushatë e re për një mandat të ri ka filluar, gjuhët e vjetra nuk mund të sjellin asgjë të re. Bashkimi ynë i ri nuk ka lindur për tiu përgjigjur baltës me baltë, apo mllefit me mllef, por për tiu hapur krahët e mirëkuptimit atyre që si ne duan Shqipërine si gjithë Europën”, vuri në dukje Rama, gjatë fjalës së tij. Njëkohëësisht, kreu socialist garantoi se pas 28 qershorit në pushtet do të vijë një qeveri e re që do të zgjidhë problemet e qytetarëve dhe që do ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni. “Bashkimi ynë ka ardhur për tiu dhënë përgjigje pikëpyetjeve të shqiptarëve. Jemi bashkuar për të mbledhur të gjithë fuqinë e mendjes për të mos lejuar që kjo Shqipëri të bëhet copë e çikë për shkak të paaftësisë dhe interesave personale”, theskoi Rama. Madje, duke i mëshuar me forcë një momenti të tillë, kreu Rama deklaroi se “jemi bashkuar që të nxjerrim më të mirën prej nesh, për një jetë më të mirë për fëmijët, për prindërit që të mos mbeten pa pune, ndërkohë që qeveria e tyre po shkon në shërbim të fëmijëve të vet. Jemi sot ketu sepse ska arsye për të mos qenë aty ku na takon, në BE”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›