E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, hapat e përfitimit

13/05/2009  Sipas Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, vetëm 300 persona kanë marrë dëmshpërblim

Financat sqarojnë procedurat dhe dokumentet që duhet të paraqesin trashëgimtarët

Dy janë rrugët që duhet të ndjekin ish-të përndjekurit politikë për të përfituar dëmshpërblimin. Ministria e Financave ka sqaruar procedurat e pagesave, jo vetëm për personat ish të dënuar që jetojnë ende, por edhe për trashëgimtarët e tyre. Nisur nga situata e krijuar kohët e fundit kur nga 1 440 ish-të dënuar janë dëmshpërblyer vetëm 300, Drejtoria e përgjithshme e Thesarit ka theksuar se Ministria e Financave ndjek procedurat e pagesës vetëm pasi ish i dënuari është përfshirë në listën e VKM-së dhe nuk ka asnjë kompetencë apo funksion për procedurat përpara daljes së Vendimit të Këshillit të Ministrave për pagesat individuale. “Ministria e Financave është ngarkuar për të ndjekur vetëm pagesën sipas VKM-së duke depozituar direkt në llogaritë personale të ish-të dënuarve ose të trashëgimtarit, apo trashëgimtarëve kur ish i dënuari nuk jeton”, - thekson Drejtoria e përgjithshme e Thesarit.

Procedurat

Burime zyrtare të Ministrisë së Financave sqaruan se komunikimi do të jetë vetëm shkresor me përfituesit dhe jo nëpërmjet sqarimeve individual. “Në rast se ish-të dënuarit kanë vërejtje për përfitimet e mëparshme, gabime të mundshme duhet të drejtojnë kërkesë zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë për korrigjime të mundshme nëse rezulton një gjë e tillë”, - theksuan burimet zyrtare të Drejtorisë së Thesarit. Është Ministria e Drejtësisë që ndjek të gjithë procedurën e informacionit për dosjet individuale deri në nxjerrjen e Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dërgimin e tij me listat bashkangjitur në Ministrinë e Financave për pagesë. Verifikimi për përfitimet e mëparshme të ish-të dënuarve është informacion i dërguar në Ministrinë e Drejtësisë nga Ministria e Financave për shumat në letra me vlerë dhe lekë përpara vitit 1997.

Dënimet kapitale

Sa i përket personave me dënim kapital dhe trashëgimtarët janë listuar në VKM nr. 1699 datë 29.12.2008. Trashëgimtarët do të veprojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur njërin nga dy opsionet. Pra, të gjithë trashëgimtarët e të pushkatuarit depozitojnë pranë degës së Thesarit ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë në adresë e Ministrisë së Financave. Burime të kësaj drejtorie theksuan se po bëhen të gjitha përpjekjet për të proceduar sa më shpejt me pagesat. Shumë shpejt do të ngrihet një sektor i posaçëm që do të ndjekë këtë procedurë këtë vit dhe në vazhdim. Sipas burimeve, radha dhe ekzaktësia në depozitimin e dokumentacionit janë kriteret dhe njëkohësisht çelësi për shpejtimin e ekzekutimit të pagesave.

Procedurat për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë

Drejtoria e Thesarit bëri të ditur se për personat ish të dënuar të listuar në VKM-të që nuk jetojnë ose kanë vdekur pas daljes së vendimit për dëmshpërblim, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe ka emrin në listë për dëmshpërblim trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. “Në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë degës së thesarit ose pranë Ministrisë së Financave disa dokumente”, - theksuan burimet e Drejtorisë së Thesarit. Në dosjen e dokumenteve duhet të jetë certifikata e vdekjes së të ish të dënuarit, certifikata e trungut familjar, dëshmia e trashëgimisë së ish të dënuarit politik, prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet dhe numrin e llogarisë në njërën nga bankat e lartpërmendura. “Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë e emrit, atësisë dhe mbiemrit në listë me ato në llogarinë bankare si dhe kompletimi i praktikës me të gjithë trashëgimtarët ligjorë sipas nenit 8 pika 1 të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, - theksuan burimet zyrtare. Pasi të jetë përgatitur dhe dorëzuar kjo dosje mund të nisin veprimet për derdhjen e parave në llogaritë e personave që përfitojnë nga dëmshpërblimi.

Procedurat për personat ish-të dënuar politikë që jetojnë

Drejtoria e përgjithshme e Thesarit ka sqaruar se personat që janë ish të dënuar dhe jetojnë duhet që patjetër të jenë në listat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. “Pasi është siguruar i dënuari politik që emri i ka dalë për pagesë në Vendimin e Këshillit të Ministrave ka dy opsione që mund të ndjekë”, - theksojnë burimet e Drejtorisë së përgjithshme të Thesarit. Një prej tyre është të depozitojnë pranë degës së thesarit ku ata jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, NBG, BKT, Banka e Tiranës, Union Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare. Burimet e Drejtorisë së Thesarit theksojnë se pranohet numri i llogarisë vetëm në një nga këto banka, sepse këto janë zgjedhur si kërkesë e ligjit. Rruga e dytë e aplikimit për të përfituar dëmshpërblimin është të dërgojnë me postë këtë numër llogarie në emër të tyre në adresën e Ministrisë së Financave, Drejtoria e përgjithshme e Thesarit Tiranë. “Me mbërritjen e numrave të llogarisë Ministria e Financave proceson pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve, ish të dënuarve. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë e emrit, atësisë dhe mbiemrit në listë me ato në llogarinë bankare”, - theksuan burimet e Drejtorisë së përgjithshme të Thesarit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›