E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca Kundër Diskriminimit: Të gjendet autorët e vrasjes

Reagon Aleanca Kundër Diskriminimit për tranvestitin e vrarë. Në një njoftim, deklarohet se Aleanca Kundër Diskriminimit mësoi e tronditur për lajmin e vrasjes makabre të një tranvestiti në qendër të Tiranës. "Lexuam komunikimet e para zyrtare të policisë dhe jemi të shokuar nga paaftësia me të cilën është trajtuar çështja. Policët në vendngjarje nuk ishin të aftë as edhe të identifikonin viktimën, ndërkohë që viktima punonte prej vitesh në atë zonë, e madje në një rast të mëparshëm ka qenë skeduar nga policia dhe akuzuar për prostitucion", deklaron AKD-ja. Mw tej, ata shprehen se një hetim i shpejtë i autoriteteve në këtë komunitet do të konstatonte se komuniteti i tranvestitëve në Tiranë bashkëjeton në mënyrë të organizuar për të siguruar jetesën dhe vetëmbrojtjen, duke mos pasur kështu nevojë as për tutor dhe as për konkurrencë. "Ne kërkojmë zbardhjen e plotë dhe sa më të shpejtë të kësaj vrasje që ndodh mu në sytë e policisë, mu në zemër të kryeqytetit. Kjo është një ngjarje që duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë për faktin se sa paturpësisht shkelen të drejtat e njeriut dhe se sa pa vlerë trajtohet jeta njerëzore në Shqipëri. Është e patolerueshme që, ndonëse ky komunitet tranvestitësh ndodhet çdo orë përpara policisë, nuk bëhet asgjë për t‘i mbrojtur nga keqtrajtimet dhe tashmë edhe nga vrasjet. Sjellja e policisë ndaj këtij komuniteti është një hipokrizi e mirëfilltë: policët bëjnë sikur patrullojnë në qendër të Tiranës, ndërkohë bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj prostitucionit në qendër të kryeqytetit dhe herë pas here policia e pranishme në raste dhune ndaj tranvestitëve bën sikur nuk shikon. E në jo pak raste të tjera vetë policët i dhunojnë psikologjikisht dhe fizikisht. Një rast i tillë, kur policia nuk lëvizi as gishtin për të ndihmuar një tranvestit që po rrihej në rrugë është denoncuar edhe në media", deklaroi AKD-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›