E Diel, 1 Nëntor 2026

"Digjen" studentët e Vlorës, shkelet shkresa e ministrit

Studentët e shpallur fitues në Universitetin e Vlorës, "Ismail Qemali", sipas listës së APRIAL-it, por me mesatare të ulët, kanë humbur të drejtën për t‘u regjistruar në fakultet.

Një vendim i senatit të Universitetit të Vlorës nuk i ka lejuar studentët me mesatare nën 6 pikë të regjistroheshin në këtë universitet. Pas protestave dhe ankesave të studentëve, ministri i ri i sapoemëruar i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka nisur një shkresë zyrtare në adresë së rektoratit të Universitetit të Vlorës, duke udhëzuar nisjen e regjistrimeve të të gjithë fituesve të listave sipas APRIAL-it deri në përfundim të afatit të regjistrimit. Por pavarësisht këtij urdhri, sekretaritë në Vlorë nuk kanë pritur studentët, ashtu siç urdhërohej në shkesën e Ministrisë së Arsimit drejtuar rektoratit të Vlorës.

Dje, në orën 18:00, ka përfunduar afati zyrtar i regjistrimeve në fakultete, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit. Por pavarësisht se dje ishte afati i fundit i regjistrimeve dhe pavarësisht shkresës së ministrit Tafaj, asnjë regjistrim nuk është kryer në Universitetin e Vlorës. Kjo do të thotë se studentët fitues, të cilët kanë protestuar e janë ankuar duke kërkuar ndihmë në institucionet më të larta arsimore, janë lodhur kot. Ata kanë humbur të drejtën e studimit deri në marrjen e një vendimi të dytë apo për masa të tjera që mund të merren në ditët e ardhshme. Nga 1700 studentë që janë shpallur fitues për Universitetin e Vlorës, 25% e tyre e kanë mesataren nën 6 dhe si rrjedhim nuk u pranuan për regjistrim, pavarësisht urdhrit të ministrit të Arsimit.

Mësohet se rektori i Vlorës aktualisht ndodhet jashtë vendit ndërkohë studentëve tashmë nuk u ka mbetur asnjë alternativë tjetër zgjidhje. "Për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2009-2010", i ndryshuar, theksojnë se regjistrimi i kandidatëve fitues në programet e studimit përkatëse bëhet sipas listave emërore të renditura nga APRIAL-i. Kjo duke marrë parasysh kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të miratuara paraprakisht nga Ministria e Arsimit", shkruan Tafaj në shkresën zyrtare dërguar rektoratit të Universitetit të Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›