E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërheqja e PBDNJ-së nga qeveria dhe pozicionimi në opozitë

Që prej muajve të parë të këtij viti, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ishte në qendër të debateve politike. Qëndrimi i saj në raport me zgjedhjet parlamentare dhe aleancat paraelektorale ishte objekt i deklaratave dhe replikave të shumta. PBDNJ-ja, që pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005 la koalicionin me të majtën duke u rreshtuar djathtas, në aleancën qeverisëse me Partinë Demokratike të Sali Berishës. Pas tre vitesh e gjysmë pushtet, në afrim të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, gjithçka u ridiskutua. Shenja e parë e krisjes së aleancës PD-PBDNJ ishte prezenca e Vangjel Dules në një prej tryezave të opozitës nën moton e sigurisë së jetës. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike realizuan secila negociata paralele para 28 qershorit, me qëllim garantimin e një aleati si PBDNJ-ja. Suksesi këtë herë anoi në kahun e Partisë Socialiste dhe kreut të saj, Edi Rama. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk mund të bënte tashmë si herët e tjera, të dilte vetëm në zgjedhje. Sistemi i ri zgjedhor proporcional rajonal e vështirësoi dhe thuajse bëri të pamundur përfaqësimin vetëm të partive të vogla. Rrjedhimisht Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut preferoi të dalë nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike. Pas shumë debatesh u desh një mbledhje e Kryesisë dhe pas saj erdhi vendimi politik për të lënë qeverisjen. Si pasojë e tij u tërhoq ministri në detyrë Anastas Duro, duke paraqitur në mënyrë demonstrative aktin e dorëheqjes nga titullari i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Një vendim i tillë nuk kaloi pa kundërshtime në gjirin e PBDNJ-së dhe nga eksponentë të caktuar të organizatës "Omonia". Gjithsesi, kreu i kësaj të fundit, Vasil Bollano, u pa të dilte para medias përkrah Vangjel Dules, si për të përforcuar se vendimi ka edhe pëlqimin e tij. Teksa firmosi aleancën e Edi Ramën, Dule tha se do të rrinte në këtë koalicion, edhe nëse ai do të humbte zgjedhjet parlamentare të qershorit. Nga ana tjetër, Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, shfrytëzoi pakënaqësitë brenda PBDNJ-së, duke afruar eksponentë të saj. Kosta Barka dhe Spiro Ksera, i pari ish-ministër nën siglën e PBDNJ-së dhe i dyti prefekt i Gjirokastrës nën po të njëjtën sigël, pranuan ftesën për të qenë në listat e Partisë Demokratike. Ata garuan përballë PBDNJ-së, duke tentuar t‘i marrin asaj sa më shumë vota. Koalicioni i majtë nuk arriti të dilte fitues dhe brenda PBDNJ-së u rizgjuan polemikat. Kryeministri Sali Berisha deklaroi publikisht se kishte dërguar ftesë zyrtare ndaj Dules për ta përfshirë këtë parti në koalicionin paszgjedhor. Dule reagoi publikisht, duke mohuar të kishte pasur ftesë zyrtare, por, sipas tij, ekzistojnë ende motivet për të cilat u prish aleanca mes dy partive. Rrjedhimisht Dule mohoi mundësinë e kalimit në qeverisje, duke preferuar të qëndrojnë në opozitë. Përballë një qëndrimi të tillë, Kryeministri tanimë i rimandatuar zgjodhi Spiro Kserën në detyrën e ministrit të ri të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›