E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankimimi i policisë në Gjykatën Kushtetuese, pritet shqyrtimi

Hyrja në fuqi e ligjit të ri u bë vetëm pak muaj më parë në kundërshtim me vullnetin e gjithë punonjësve të policisë. Madje, kur ai kaloi në Kuvendin e Shqipërisë, Sindikata e Policisë dhe drejtues të Policisë së Shtetit, i bënë një ankesë Presidentit për të mos e dekretuar, por fjala e tyre nuk u dëgjua. Më vonë, duke u bashkuar edhe me Avokatin e Popullit, ata e dërguan ligjin në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim që të anulohet, ose të bëhen disa ndryshime të domosdoshme. Shqyrtimi i kësaj çështjeje ende nuk ka nisur në Kushtetuese, por pritet që këto ditë të fillojë për të parë nëse ai do mbetet në fuqi, apo do të hidhet poshtë për ndryshime. Në ankesë shpjegohet se ky ligj është i pavend, pasi Parlamenti, Këshilli i Ministrave dhe institucionet në varësi të saj kanë miratuar të gjithë aktet ligjore dhe nënligjore për trajtimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe nuk ka asnjë arsye për t‘i ndryshuar ato. Duke cituar gjithë aktet ligjore në fuqi, Sindikata e Policisë ka argumentuar se baza ligjore dhe nënligjore është e plotë për përcaktimin e kushteve, kritereve dhe masën e përfitimeve nga sigurimi suplementar i punonjësve të Policisë se Shtetit dhe anëtarëve të familjeve të tyre, në rastet kur punonjësit ndërpresin karrierën, ose mbushin moshën për pension të parakohshëm apo pension pleqërie. Duke radhitur një sërë argumentesh, deklarohet se në qershor të 2007-ës, ligjvënësi në nenin 88 dhe 89, të ligjit Nr. 9749, datë 4.6.2007 "Për Policinë e Shtetit", duke marrë parasysh përgjegjësinë dhe rrezikshmërinë e lartë në detyrë, ka sanksionuar vazhdimësinë e përfitimeve të tjera shtesë sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit". "Mendojmë se për këtë periudhë kaq të shkurtër s‘ka pasur asnjë ndryshim në pakësimin e shkallës së rrezikut apo të elementeve të tjerë që të shërbejnë si argumente për të ndryshuar ligjet në lidhje me përfitimet suplementare", argumentonte në atë kohë kreu i sindikatës. Specialistët kanë argumentuar më tej se në nivelin që kërkohet të jetë Policia e Shtetit, përkeqësimi i përfitimeve suplementare të punonjësve të policisë do të ndikojë negativisht në rekrutimin e personelit me arsim të lartë apo të mesëm, që kanë mbaruar shkollën me rezultate të larta. Çdo nismë për të përkeqësuar përfitimet aktuale do ta dëmtonte punën në strukturat e policisë në luftën ndaj krimit, si edhe do të krijonte një situatë problematike si me organizatën e policisë ashtu edhe me misionet e huaja në ndihmë të policisë, të cilat kërkojnë rritjen e parametrave aktualë të trajtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke e përafruar me standardet e policisë së vendeve europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›