E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efektet negative që solli ky ligj

Natyra e punës, shkalla e rëndësisë së detyrës dhe vështirësia e lartë në punën e punonjësit të policisë nuk mund të krahasohet ose të barazohet me kategoritë dhe profesionet e përfshira në projektligj.
Punonjësit e Policisë së Shtetit i kanë të rregulluar me ligj përfitimet suplementare dhe nuk ka arsye përse të përfshihen në një ligj të ri. Policia e Shtetit ka arritur një standard dhe nuk ka motiv për keqësimin e tij. Baza ligjore për sigurimet shoqërore suplementare është e plotë.
Ligji i ri i përgatitur ul në mënyrë të ndjeshme masën e përfitimit, përkeqëson masën e pagesës sipas gradave dhe sipas kontributeve të secilit punonjës policie. Pagesa në këtë projektligj është e njëjtë për të gjithë punonjësit e policisë, kështu, sipas tij, punonjësit që paguajnë kontribute më të mëdha në sigurime dhe kanë grada të larta policore, do të kenë të njëjtën pagesë me ata me kontribute më të vogla dhe grada të ulëta.
Për shkak të natyrës së punës, punonjësit e policisë transferohen sa në një vend në tjetrin; ata shërbejnë në të gjitha zonat e vendit, në kufi, veri-jug dhe në zonat më ekstreme. E gjithë kjo është një sakrificë sublime, si për vetë punonjësin ashtu edhe për vetë familjen, ndaj ata duhet të kenë një trajtim më të mirë kur organizata i nxjerr në pension të parakohshëm.
Gjykojmë që në projektin e paraqitur nuk është vlerësuar dhe nuk vlerësohet risku dhe specifika e natyrës së punës së punonjësit të policisë. Në etikën policore amerikane (pjesë e trajnimeve të ICITAPI-it me punonjës të policisë shqiptare) midis të tjerave trajtohet "teoria e kullës", e cila ka në thelb sa më poshtë: Në rastet e akteve terroriste, fatkeqësive natyrore, gabimeve njerëzore etj., në objekte apo ambiente publike të gjithë njerëzit që ndodhen pranë tyre kanë një qëllim, që të largohen prej aty për të shpëtuar jetën, ndërsa policia ka për mision të shkojë aty.
Ulja e masës së përfitimeve do të demotivojë kandidatët që do të konkurrojnë për t‘u pranuar dhe shërbyer në Policinë e Shtetit, pasi perspektiva e tyre për jetën, pas këtij shërbimi, është e pambrojtur dhe e pagarantuar.
Përgjegjësitë dhe detyrat institucionale që i janë ngarkuar nga ligji "Për Policinë e Shtetit", janë të një rrezikshmërie shumë të lartë, për rrjedhojë nga ligjvënësi kërkohet vlerësim për punën dhe të ardhmen e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe jo të përkeqësohen arritjet e deritanishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›