E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleanca KuqeZi proteston para ambasadës serbe, i pranishëm dhe kryetari i Bashkisë së Preshevës (FOTO)

Share

Kryebashkiaku i Preshevës, Ragmi Mustafa: Ne kemi qenë mot dhe jemi sot kuqezi, ne jemi me Aleancën KuqeZi, e cila lartëson dhe ngre në piedestal vlerat kombëtare historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve

Aleanca KuqeZi zhvilloi paraditen e të shtunës një protestë me aktivistë të Aleancës KuqeZi, studentë dhe banorë të Luginës së Preshevës përpara ambasadës së Serbisë në Tiranë, kundër arrestimeve që po i bëhen shqiptarëve të Preshevës ndër vite. Protestës së Aleancës KuqeZi iu bashkua për herë të parë Kryetari i Bashkisë së Preshevës, njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Preshevës, Ragmi Mustafa.

Aktivistët e Aleancës KuqeZi marshuan në rrugët e kryeqytetit duke lëshuar thirrje patriotike në mbështetje të vëllezërve shqiptarë të Preshevës të cilët ndër vite janë vënë përpara dhunës verbale dhe fizike më ngjyrime politiko-ksenofobe të strukturave serbe. Përfaqësuesit e Aleancës KuqeZi nën sloganin Do të përballeni me 10 milionë shqiptarë lëshuan mesazhe të forta në drejtim të përfaqësisë diplomatike të Serbisë duke kërkuar që shqiptarët e Preshevës të lihen të qetë dhe vëllezërit shqiptarë të arrestuar të lirohen nga burgosja politike, thuhet në një njoftim të AK.

Ne jemi këtu për ti premtuar shqiptarëve të Preshevës se nuk do të ndalojmë asnjëherë mbështetjen tonë për morale dhe fizike për të drejtat e tyre në tokën e tyre etnike, dhe ne nga sot e tutje deri në zgjidhjen e kësaj çështje do të jemi preshevarë, do të jemi të njësuar me shqiptarët e luginës së Preshevës, deklaroi përfaqësuesja e Aleancës KuqeZi, Lumturi Ratkoceri, të parët e të cilës origjinën e kanë nga Lugina e Preshevës.

Më pas Kryetari i Bashkisë së Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi se ishte sot në Tiranë për të falenderuar dhe mbështetur nismën e Aleancës KuqeZi për të protestuar për të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve të Preshevës. Ne kemi qenë mot dhe jemi sot kuqezi, ne jemi me Aleancën KuqeZi, e cila lartëson dhe ngre në piedestal vlerat kombëtare historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, deklaroi Ragmi Mustafa, ndërkohë që protestuesit thërrisnin Shqipëri Etnike dhe Nga Presheva në Çamëri, të gjithë jemi KuqeZi.

Më tej Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës KuqeZi, Myslim Pashaj, u shpreh se duhet ti jepet fund njëherë e përgjithmonë gjenocidit serb ndaj kombit shqiptar. Shqiptarët nuk janë një komb i vogël, ata janë dhjetë milion dhe do të kërkojnë më çdo kusht të drejtat dhe liritë e tyre, tokën e tyre, dhe përmbushjen e aspiratës shekullorë të shqiptarëve për bashkim kombëtarë, tha Pashaj.

Në përmbyllje të protestës, pjesëmarrësit që kishin ardhur nga Lugina e Preshevës iu bashkuan zyrtarisht Aleancës KuqeZi duke u bërë anëtarë me të drejta të plota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›