Misteri i Kumbaros, s‘ka gjurmë gishtash
Trazhgim Sokolaj
Ish-agjenti i akuzuar për një nga ngjarjet më enigmatike të 20-vjeçarit të fundit në Shqipëri, Ilir Kumbaro, ka vënë para një sfide të vërtetë prokurorinë shqiptare dhe autoritetet britanike. Në skedat kriminale të policisë apo edhe në dosjet penale të prokurorisë dhe zyrave të Interpolit, nuk gjendet asnjë gjurmë gishtash e cila do të hidhte poshtë alibinë e të arrestuarit në Londër. Ai pretendon të jetë një shtetas çek i përndjekur nga regjimi dhe i strehuar politik në Britani prej 13 vitesh pa asnjë lidhje me rrëmbimin e biznesmenit Remzi Hoxha, i zhdukur pa gjurmë në Tiranë mesditën e 21 tetorit 1995. Pas arrestimit në Londër më 18 tetor 2008, i shumëkërkuari Kumbaro është prezantuar si shtetas çek, me emrin Shaqa Shatri, 54 vjeç, azilant politik që nga 7 nëntori 1998, banues në lagjen Fulham në zonën Belgravia në Londër. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë, thanë dje se në dosjen që ndodhet në këtë institucion, një kopje e të cilës i është përcjellë Interpolit bashkë me urdhër-arrestin, nuk ka gjurmë gishtash të skeduara që i përkasin ish-agjentit të degës së parë të Shërbimit Informativ të Tiranës. Sipas Prokurorisë, Ilir Kumbaro ka përfituar nga statusi i detyrës që mbante në Shërbimin Informativ, e cila e përjashtonte nga skedimi i shenjave të gishtave.
Gjurmët e humbura
Pasi u largua nga Shërbimi Informativ në vitin 1996, Kumbaro udhëtoi menjëherë jashtë Shqipërisë duke ndjekur një itinerar ende misterioz, duke mos i lënë asnjë mundësi policisë apo organeve të tjera ta ndalonin apo të fiksonin të dhëna identifikuese. Në teknikën policore por edhe në fushën e ndjekjes penale, gjurmët e gishtave konsiderohen të dhënat kryesore për identifikimin e të dyshuarve, për shkak se imazhi mund të ndryshojë falë moshës ose operacioneve plastike të cilat hedhin poshtë fotot si element identifikues me efektin e provës së pakundërshtueshme. Gjykata angleze e cila po shqyrton dosjen e Ilir Kumbaros është shprehur se ai do të procedohet për zhdukjen e Remzi Hoxhës në Tiranë, vetëm në rast se konfirmohet se i arrestuari është ish-agjenti i SHIK-ut të Tiranës, Ilir Kumbaro. Në banesën e tij, pas arrestimit më 18 tetor të këtij viti, policia angleze gjeti një sërë dokumentesh identiteti të falsifikuara. Ato po përdoren si prova kundër të arrestuarit, i cili këmbëngul para gjykatës se është shtetas çek. Në këtë situatë, policia dhe prokuroria shqiptare nuk kanë të skeduara shenja gishtash të cilat mund të përdoreshin për krahasim identifikues për t’i dhënë fund alibisë së ish-agjentit të Shërbimit Sekret shqiptar. Vendimi i gjykatës angleze ndaj tij pritet të shpallet më 26 nëntor 2008 ndërsa pala shqiptare në kërkesën për ekstradimin e tij në Tiranë përballet edhe me mungesën e një marrëveshje dypalëshe me Anglinë për këtë qëllim.
Kumbaro, gjyq në mungesë te Krimet e Rënda
TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë po zhvillon një proces gjyqësor të përbashkët për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe rrëmbimin e dy personave të tjerë në tetor 1995. Bashkë me dosjen penale të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, në fashikull ndodhen edhe provat për rrëmbimin dhe torturimin e dy personave të tjerë, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Akuza e ngritur ndaj katër ish-agjentëve e zyrtarëve të SHIK-ut, është rrëmbim dhe tortura me pasoja të rënda në bashkëpunim. Loshaj e Kristopulli patën të njëjtin fat me Remzi Hoxhën në tetorin e vitit 1995, kur agjentë të Shërbimit Informativ i rrëmbyen në Tiranë dhe Sarandë dhe më pas u dërguan në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku fatet e tyre u ndanë. Remzi Hoxha, i cili u pa nga dëshmitarët duke dëshmuar dhe duke u rrahur nga agjentët e SHIK-ut, u zhduk pa gjurmë ndërsa Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli u lanë të lirë disa ditë më pas me dëmtime të rënda fizike, si pasojë e dhunës së ushtruar. t.s
Dëshmia e Gazidedes do të lexohet në gjyq
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që në seancën gjyqësore të radhës, për zhdukjen e Remzi Hoxhës, të lexojë deklarimet e dhëna gjatë hetimeve paraprake nga ish-shefi i SHIK-ut Bashkim Gazidede. I ndjeri u nda nga jeta disa ditë më parë ndërsa organi i akuzës gjykon se thëniet e tij të dhëna në vitit 2006 në prokurori, janë të vlefshme për t’u paraqitur në proces. Në këtë mënyrë, prokuroria tha se do të paraqesë para gjykatës një certifikatë vdekje të Gazidedes e më pas do të kërkojë të lexojë në sallën e gjyqit deklarimet e dhëna prej tij në vitin 2006, kur u mor në pyetje lidhur me rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Gazidede deklaroi atëherë se gjatë detyrës së tij si drejtues i Shërbimit Informativ Kombëtar kishte zbatuar ligjet ne fuqi. Në seancën e ardhshme te Krimet e Rënda janë thirrur si dëshmitarë edhe disa ish-zyrtarë të tjerë. t.s