Aleanca me Ramën, përçahen demokristianët
Ideja për të bashkëpunuar me Edi Ramën menjëherë pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit, ka thelluar edhe më tej përçarjen brenda radhëve të demokristianëve. Nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja, e cilëson si lëvizje të diktuar nga dëshpërimi i humbjes në zgjedhje, propozimin e kryetarit Ndoka për të bashkëpunuar me Ramën. Beja tregon se e ka kundërshtuar propozimin e kryetarit në mbledhjen e kryesisë, pasi ai e sheh kryesocialistin Rama si shkaktarin kryesor të mospërfaqësimit të PDK-së në Parlament. Sipas Bejës, PDK duhet të vazhdojë të jetë parti e qendrës, ndërsa nuk përjashton dhe idenë e riafrimit me demokratët apo me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Për Bejën, afrimi i demokristianëve me Ramën do të prishte imazhin e PDK-së, si dhe do të ulte mbështetjen e saj në elektorat, i cili sipas tij, është i madh pavarësisht se Kodi Elektoral nga Rama nuk iu dha mundësi atyre të kenë përfaqësim parlamentar.