E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeinspektori: Deputetët e rinj të zbardhin pasurinë



Kryeinspektori Adriatik Lalla u kërkon deputetëve të rinj të Kuvendit të Shqipërisë që të bëjnë sa më shpejt deklarimin e pasurisë së tyre pranë ILDKP-së. Për të shmangur konfliktin e interesit, por edhe përfitimet e paligjshme që një zyrtar mund të marrë nga fondet publike, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka vendosur që në deklaratën e pasurisë të përfshihen edhe të ardhurat që vine nga fëmijët madhorë si dhe të identifikohen emrat e prindërve të dy bashkëshortëve. Një ligji të tillë pritet t’i nënshtrohen dhe zyrtarët e rinj si dhe deputetët që ulen për herë të parë në Parlament. Kreu i Inspektoratit pohoi dje se institucioni që drejton, has shumë vështirësi në marrjen e deklarimit të deputetëve që lënë mandatin. Në shumë raste ai ka kërkuar bashkëpunimin me drejtësinë për ndëshkimin e atyre që fshehin pasurinë. Për këtë kategori Inspektorati ka vendosur një afat prej 15 ditësh nga lënia e mandatit. 35 nëpunës janë dërguar për ndjekje penale nga ana e Inspektoratit për mosdeklarim të të ardhurave, ndërsa në gjykim kanë përfunduar 5 raste. Brenda 5 vitesh Inspektorati ka dërguar në prokurori 62 kallëzime penale, 150 raste të zgjidhura të konflikteve të interesit dhe më shumë se 230 ndëshkime me masën administrative gjobë. Shumë kallëzime të tjera mbeten ende pa përgjigje nga ana e Prokurorisë. Në ILDKP deklarojnë periodikisht mbi 4 mijë zyrtarë, që nisin nga Presidenti i Republikës, deputetët, ministrat e deri te drejtuesit e pushtetit lokal, punonjësit e doganave dhe tatimeve. Ligjvënësi ka parashikuar një kategori të gjerë zyrtarësh, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e elementit korruptiv në administratën shtetërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›