E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Vlerësimet për zgjedhjet, Shqipëria, më afër BE-së



Vlerësimet që vijnë nga Brukseli dhe përfundimet e raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit janë një rikonfirmim i qartë se Shqipëria është sot më afër se kurrë Bashkimit Evropian. Madje, përmes këtyre zgjedhjeve, Shqipëria ka mundur të tejkalojë testin e rëndësishëm politik, duke i hapur rrugën kështu integrimit në familjen evropiane. Këtë bindje shprehu dje në emër të qeverisë zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu, sipas së cilës këto zgjedhje shënuan progres të prekshëm. Bregu i bëri thirrje opozitës që t’i lexojë këto mesazhe vlerësuese për zgjedhjet e 28 qershorit me syrin dhe paanësinë e partnerëve të Shqipërisë në Evropë. Znj. Bregu përshëndeti deklaratën e fundit të ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt, dhe komisionerit evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, për sa u përket standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Përshëndes deklaratën e Presidencës së Bashkimit Evropian, dhënë nga ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, dhe atë të komisionerit evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, të cilët kanë vërtetuar edhe një herë me deklaratën e tyre se Shqipëria e ka kaluar suksesshëm testin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit”, - u shpreh znj. Bregu. Por, BE-ja inkurajon po aq dhe debatin politik. Në këtë pikë, Bregu ftoi opozitën të ndalojë bojkotin dhe të marrë pjesë në Kuvend si një hap i vlefshëm dhe për proceset integruese, ku është përfshirë vendi. Shqipëria ka tejkaluar testin më të rëndësishëm politik, që lidhej me zgjedhjet parlamentare. “Deklaratat e Presidencës suedeze dhe komisionerit Rehn se vendi pas këtyre zgjedhjeve është në një pozitë më të mirë për sa i përket perspektivës evropiane, janë konfirmim i përgjegjshmërisë me të cilën qeveria shqiptare ka zbatuar dhe do të zbatojë të gjitha detyrimet që afrojnë vendin më shumë me Bashkimin Evropian”, - nënvizoi znj. Bregu. “Pas raportit, - shtoi ajo, - të publikuar nga misioni i OSBE/ODIHR-it, në të cilin theksohet se këto zgjedhje kanë shënuar progres krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe se nuk kishte prova për manipulim rezultati apo për numërim të parregullt, vijnë dhe deklaratat e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët gjithashtu konfirmojnë se Shqipëria është sot më afër BE-së”. Ne këtë pikë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ftoi edhe një herë opozitën të zërë vendin e saj në Parlament dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, t’i lexojë këto mesazhe vlerësuese për zgjedhjet e 28 qershorit me syrin dhe paanësinë e partnerëve të Shqipërisë në Evropë. “E ftoj opozitën e Ramës që të vijë në Parlament e të dëshmojë se plotësimi i detyrimeve për të qenë sa më shpejt në Bashkimin Evropian është detyrimi politik e qytetar i gjithkujt që ka kërkuar dhe ka marrë votën e shqiptarëve në 28 qershor për të realizuar sa më parë ëndrrën e përbashkët evropiane”, - theksoi znj. Bregu. Zgjedhjet e 28 qershorit, për herë të parë në historinë e zhvillimit të zgjedhjeve demokratike u vlerësuan mbi bazën e standardeve më të larta në Unionin Evropian. Vlerësimi pozitiv i zgjedhjeve i ka hapur dritën jeshile vendit për një proces të rëndësishëm sikundër është shqyrtimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE, një çështje që do të marrë përgjigje brenda muajit tetor, nisur nga deklarimet optimiste të Presidencës së radhës së BE, Suedisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›