E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada e SHBA-së: Zgjedhjet, përmirësim i prekshëm



SHBA-të konsiderojnë se zgjedhjet shqiptare të 28 qershorit shënuan përmirësim të prekshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Përmes një deklarate për shtyp, ambasada amerikane në Tiranë bëri dje të ditur se mirëpret përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara, siç është kuadri ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve. Sipas ambasadës amerikane, raporti i ODIHR-it gjithashtu identifikoi mangësi. “U shënuan probleme lidhur me numërimin dhe regjistrimin e votave, si edhe me anshmërinë e medias për partitë kryesore politike”, - thuhet në këtë deklaratë. Po ashtu, ODIHR nxjerr në pah veprime dhe presione problematike nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale. Në fund të deklaratës, SHBA-ja jep edhe rekomandimet që pasojnë këtë raport. Ajo nxit qeverinë shqiptare dhe të gjitha partitë politike të përmirësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të punuar me qeverinë shqiptare, OSBE-në dhe Bashkimin Evropian për t’u marrë me fushat e shënuara për përmirësim. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë me kënaqësi publikimin më 14 shtator nga Zyra për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE-së të raportit përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Mirëpresim përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përshkruara në raport, siç është kuadri i përmirësuar ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve”, - thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›