Dështimi i vizitës së Ramës, Veliaj: Rehn kishte axhendë të ngjeshur
Bashkudhëtari i Edi Ramës në Bruksel para dy-tri ditësh, Erion Veliaj, ka pranuar me sinqeritet mungesën e takimeve serioze të tyre me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian dhe sidomos dështimin e tentativës për të takuar Olli Rehn, komisioneri për Zgjerimin i KE-së. Duke folur në një emision të vonë në Koha TV të martën Veliaj ka pranuar se ishin në Bruksel së bashku, dhe pse Rama nuk foli për këtë në konferencën e tij për shtyp. Ai ka thënë më tej se “sigurisht Rehn ka një axhendë të ngjeshur”, megjithëse nuk ka pranuar në mënyrë të hapur se kishin kërkuar takim me të dhe ai i kishte refuzuar. Ndërkaq, Veliaj ka shtuar se ky udhëtim u bë për të çuar në veshin e Brukselit zërin e opozitës dhe kritikat e saj për zgjedhjet e fundit. Veliaj duket se është i vetmi garant që ka Rama në lidhjet që tenton të krijojë me ndërkombëtarët, duke pasur parasysh se me të i bën udhëtimet në Bruksel. Ata u nisën për të kërkuar mbështetje për vendimin e ndërmarrë nga PS për bojkotin e Kuvendit. Për Ramën dhe Veliaj kthimi në Tiranë pas kësaj vizite mund të konsiderohet me plot gojën e dështuar, pasi nuk është sqaruar nëse kanë arritur në fakt të kenë ndonjë takim, qoftë dhe me ndonjë zyrtar të nivelit të ulët në këtë institucion.