“Aleanca për Qytetarin’ i besoi Lulzim Bashës Tiranën, ai do të çojë deri në fund premtimin ndaj qytetarëve”
Letra e Kadaresë - komenton Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ritvan Bode
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe njëherazi ministri i Financave Ritvan Bode, reagoi dje lidhur me letrën që shkrimtari Ismail Kadare i dërgoi kandidatit fitues të mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Bode u shpreh se pikëpamja morale e kandidatit demokrat, është se në Tiranë e votuan 125 mijë qytetarë, dhe si i tillë ai do jetë përfaqësuesi i tyre.
Sipas zyrtarit të lartë demokrat, Lulzim Basha s’mund t’u thotë zgjedhësve, të cilët e votuan dhe e shpallën fitues se, “unë tani u lodha dhe po iki në shtëpi”. “Unë mendoj që momenti moral i një shoqërie pasqyrohet. Morali i një shoqërie demokratike, është ligji. Respektimi i rregullave të vendosura dhe ligjeve. Në një ekuilibër të tillë, përballë 250 mijë votuesish, ka një shqetësim, por diferenca e një individi, i cili përmban një moral të vlerësuar nga qytetarët, siç është Lulzim Basha, s’mund të ndodhë që të thotë ‘unë tani u lodha dhe po iki në shtëpi’. Kjo nuk mund të ndodhë. Nëse dikush thotë se çdo politikan, që mund të mbajë qëndrime tërësisht personale, jashtë interesave të grupit, atëherë ai nuk është më përfaqësues i atij grupi. Gjithë kjo trupë e madhe, kjo parti e madhe, ky koalicion i madh ka zgjedhur këtë kandidat. Ata që djegin goma dhe bllokojnë rrugët, është problem i tyre. Edi Rama bllokoi edhe institucionet shqiptare, bllokoi edhe perspektivën e integrimit të Shqipërisë”, u shpreh Bode.
Kreu i financave tha gjithashtu se në 8 maj “Aleanca për Qytetarin” korri një fitore bindëse, duke i treguar Edi Ramës dhe kartelit të tij të interesave se, edhe në 2009-ën ai humbi nga vota e shqiptarëve dhe jo nga tjetërsimi i saj. “8 maji i tregoi Edi Ramës se ai humbi në 2009-ën, por humbi edhe në 2011-ën, pasi rezultati i koalicionit të djathtë, ishte bindshëm shumë më lart se ai i të majtëve. Mendoj se gjysma e shqiptarëve dhe gjysma tjetër që s’ka raporte elektorale me mazhorancën, kanë marrë një përgjigje. Por, përgjigje s’ka marrë çështja personale e Edi Ramës, interesi politik i tij. Rezultati hedh poshtë pretendimet e Edi Ramës, të nisura nga zgjedhjet parlamentare të 2009-ës”, tha Bode.