E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI në Tiranë, 70 për qind më shumë votues se në vitin 2009

23-05-2011 / Gazeta 55

Shezai Rrokaj, kreu i degës së LSI-së për kryeqytetin deklaron se janë në pritje të certifikimit të verdiktit të sovranit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dega Tiranë, Shezai Rrokaj, u shpreh të dielën, gjatë një konference për shtyp, se numri i zgjedhësve që në 8 maj votuan këtë forcë politike në kryeqytet është 70 për qind më i lartë se në vitin 2009. “Më 8 maj Lëvizja Socialiste për Integrim arriti një fitore spektakolare, plot 20.814  votues për këshillin e bashkisë së Tiranës dhe 23.012 për këshillat e minibashkive”, tha Rrokaj, i cili shtoi se në këshillin bashkiak të Tiranës LSI do te ketë 5 përfaqësues, ndërsa rreth 35 këshilltarë të kësaj force do të jenë anëtarë në këshillat e minibashkive, ku më shumë se 12 prej tyre janë femra. LSI fitoi 2 minibashki nga 11 të tilla në kryeqytet, minibashkinë nr. 2, me kryetar Elez Gjozën, dhe nr. 3 me kryetar Ilir Kokonën. Në këtë kuadër, Rrokaj vuri në dukje se dega e LSI në Tiranë dha një kontribut të vyer jo vetëm për fitoren e 2 minibashkive, por edhe për fitoren e 7 minibashkive gjithsej në Tiranë, nga koalicioni  “Aleanca për Qytetarin”. “Vota e sovranit vetëm duhet të jetësohet nëpërmjet certifikimit, ndaj inkurajojmë të gjitha institucionet që të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese për të ligjëruar sa më shpejt këtë vullnet të sovranit”, tha Rrokaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›