E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aleanca për referendum”, ultimatum qeverisë për “Petroliferën”

“Tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën dhjetëra njerëz e u plagosën qindra të tjerë dhe mbetën pa strehë e pa pasuri mijëra veta, ka shkaktuar dhimbje dhe indinjatë në mbarë opinion publik të vendit. Shkaktarët e kësaj tragjedie tashmë dihen: ata janë qeveritarët e korruptuar, që në rrugë antiligjore, pa pyetur aspak për normat minimale të sigurisë, kishin ndërtuar atë që tashmë quhet "fabrika e vdekjes", që në fakt ishte minierë floriri për Delijorgjët e dukshëm e të padukshëm të pushtetit. Populli i Vlorës është veçanërisht i ndjeshëm ndaj kësaj tragjedie, sepse një tragjedi e ngjashme, por e përmasave më të mëdha, është duke u përgatitur për Vlorën. “Petrolifera”, TEC-i, tecet dhe naftësjellësi i zi “AMBO” janë produkte të aferave mafioze të pushtetarëve të korruptuar, servilë dhe të pashpirt. Këto projekte, në shkelje flagrante të Kushtetutës, të konventave dhe normave ndërkombëtare dhe, pa përfillur protestat trevjeçare të qytetarëve të Vlorës, kanë filluar të zbatohen nga Delijorgjët vendas, ku përfshihen edhe pushtetarë lokalë. Pas tragjedisë së Gërdecit dhe indiferencës suaj vrastare, ne përfundimisht mendojmë se ka ardhur momenti që ju nuk mund të fshiheni më. Kjo tragjedi tregoi haptazi se jetët tona nuk janë aspak të mbrojtura ndaj rreziqeve që paraqesin veprat me bazë nafte. Prandaj, sot më të vendosur se kurrë, kemi marrë vendimin t'i dalim zot jetëve tona. Nga ky tubim, sot, ne shpallim publikisht këtë kërkesë-ultimatum: Nëse brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, kërkesa jonë trevjeçare për referendum nuk merr zgjidhje, atëherë: 1) Do të zbatojmë mosbindjen civile ndaj institucioneve ku përfshihen Bashkia, Këshilli i Qarkut, deputetët, Prefekti i Qarkut dhe Konsullata italiane. 2) Gjithashtu ne nuk do të mbajmë asnjë përgjegjësi për veprime apo kundërshtime të çdo natyre tjetër ndaj objekteve në ndërtim apo personave në shërbim të këtyre veprave. I kërkojmë Presidentit të Republikës se është në kohë që edhe me iniciativë personale të marrë vendimin përkatës për Referendum.
Vlorë, më 23.03.2008, “Aleanca për referendum”

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›