E Diel, 1 Nëntor 2026

Predhat u kanë shkaktuar 20 milionë USD dëme banorëve të Gërdecit

Qeveria publikon bilancin e humbjeve financiare nga shpërthimi. Berisha, optimist se situata do të marrë fund brenda 1 muaji
Erald Kapri

Qeveria ka bërë publike dëmin financiar që banorët e fshatrave kanë pësuar nga shpërthimi në Gërdec. Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur këtë dëm financiar, i cili aktualisht është llogaritur vetëm për ndërtesat dhe orenditë shtëpiake dhe arrin shifrën në 1.571 miliardë lekë dhe po ta shkëmbejmë në kursin aktual vlera arrin në 20 milionë dollarë. Ndërkohë, vlerësimi total i dëmeve nuk ka përfunduar ende pasi do të llogariten edhe dëmet në fushën e bujqësisë, blegtorisë, infrastrukturës, mjedisit, kostos administrative etj., të cilat ende duan kohën e duhur për t’u përllogaritur. Në këtë kosto financiare paraprake nuk janë përfshirë ndihmat financiare që kanë marrë këto ditë banorët për të përballuar jetesën në kushtet aktuale. Kryeministri mbetet optimist se brenda një muaji nga data e fatkeqësisë situata do të jetë në normalitet në të gjitha fshatrat e prekura nga tragjedia.
Bilanci i dëmeve
Kryeministri Berisha, në një mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Ministrave, u shpreh se procesi i vlerësimit të dëmeve u realizua në një kohë rekord nga ekipet e vlerësimit dhe në marrëveshje të plotë me familjarët, duke përdorur një teknologji të shkallës së lartë. “Në një hark kohor prej katër ditësh, duke përdorur teknologjitë më të mira, u shqyrtuan mbi 4200 banesa, nga të cilat 3615 prej tyre rezultuan me dëme të shkallëve të ndryshme nga rrafshimi i plotë te dëme të rënda, mesatare dhe të lehta. I gjithë ky material, ose i gjithë ky proces vlerësimi, në të gjitha rastet u bë në praninë e kryefamiljarit ose të familjarëve të autorizuar. Të gjithë formularët e vlerësimit u firmosën jo vetëm nga vlerësuesit, por në marrëveshje të plotë edhe nga të dëmtuarit. Pra, një proces që nisi në datën 17, pasi data 15 dhe 16 ishin nën breshërinë e predhave, u finalizua mbrëmë në mesnatë me të gjitha përllogaritjet”, - tha Berisha për dëmet e shpërthimit në Gërdec. Njëkohësisht, Berisha bëri të ditur se vlerësimi i përfunduar përfshin vetëm objekte private dhe jo ato publike të dëmtuara, të cilat do të trajtohen nga ministri të veçanta. “Numri i objekteve të dëmtuara të qytetin e Vorës është 1112. Në Marqinet 365 objekte, ku përfshihen shtëpi, klube, etj. Në Gjokaj 253 objekte, Picar 239 objekte. Kodër Vorë 297 objekte, Gërdec 109 objekte, Sharrë 139 objekte, Mucaj 359 objekte, Marikaj 651 objekte, biznese 32, ferma bujqësore 34, bagëti të fermave bujqësore 25”, - tha më tej Berisha për shpërndarjen gjeografike të dëmit.
Vlerësimi
Kryeministri informoi se vlera e punimeve ndërtimore në zonën e emergjencës do të jetë e përjashtuar nga çdo lloj takse. Kjo do të jetë një lehtësi më shumë për banorët e zonës. Ndërkohë, vlerësimi i dëmeve do të vazhdojë akoma për zonat e prekura nga shpërthimi tragjik. Çdo material që është dëmtuar nga shpërthimi do të kompensohet. Kështu fermerët do të përfitojnë dëmshpërblim financiar edhe për pemët e tyre si dhe për gjënë e gjallë që ato humbën në këtë tragjedi. Kryeministri i kërkoi ministrit të Bujqësisë Jemin Gjana që të përshpejtojë punën për të llogaritur dëmet në bujqësi në mënyrë që banorët të përfitojnë dëmshpërblim sa më shpejt. Dëmshpërblimi i saktë, sipas kryeministrit, është i mundur për shkak se zona ka qenë e fotografuar nga ajri. Në bazë të kësaj harte, ekipet e vlerësimit po bëjnë vlerësimin e ullinjve dhe të drurëve frutorë, të cilët bëjnë pjesë në pronën e familjeve të dëmtuara. Në kuadrin e pastrimit dhe vënies nën kontroll të plotë të territorit, kryeministri vlerësoi të një rëndësie të jashtëzakonshme kontrollin e sipërfaqeve pyjore, të cilat janë në funksion të banorëve.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›