E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Opozita sërish protesta për tragjedinë”

Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, tha se Partia Socialiste dhe partitë e tjera të opozitës do të dalin sërish në protesta kundër kryeministrit Berisha për tragjedinë e Gërdecit. Klosi deklaroi gjithashtu se opozita nuk do të heq dorë nga kërkesa e saj për dorëheqjen e Berishës, i cili vazhdon të mos mbajë përgjegjësinë kryesore që ka për tragjedinë e ndodhur. “Jam para jush t’ju njoftoj se ne do të bashkohemi përsëri në bulevardin ‘Dëshmorët e kombit’ për të dëshmuar se pa ikjen e këtij kryeministri, kjo qeveri s’ka asnjë moral të qeverisë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne nuk do të heqim dorë nga kërkesa për dorëheqjen e hetim të plotë të përfshirjes së Sali Berishës në aferën e Gërdecit”, - tha Klosi. Sekretari Organizativ i PS-së dënoi edhe anashkalimin që kryeministri Berisha i bëri çështjes së dorëzimit të imunitetit të tij. “U çuditëm shumë që zoti Berisha ia mohoi opozitës të drejtën për të kërkuar imunitetin e tij, ndërkohë, që ka tre vjet që deklaron se është gati ta lërë atë në çdo rast. Por nuk na çudit fare frika e tij nga heqja e imunitetit në kushtet që të gjitha indiciet të bëjnë të mendosh që kryeministri nuk ka vetëm përgjegjësi politike e morale për masakrën e Gërdecit, por edhe përgjegjësi ligjore”, - tha deputeti i Partisë Socialiste.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›