Kryesia e PS-së: Dorëheqja e kryeministrit, e panegociueshme
Kryesia e Partisë Socialiste, e mbledhur gjatë orëve të pasdites, ka rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimin për dorëheqje të kryeministrit dhe kërkesën për lënien e imunitetit. Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, kryetari Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste është e vendosur për të kërkuar dorëheqjen dhe dorëzimin e imunitetit të kryeministrit Berisha, si shkaktari kryesor i tragjedisë së Gërdecit. “Kryesia konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e vendosur të Partisë Socialiste për të mos lejuar asnjë devijim nga procesi i integrimit në NATO dhe për të garantuar marrjen e ftesës. Por, nga ana tjetër, nënvizoi se ngjarja e paharrueshme që shkaktoi kaq shumë viktima dhe që nxori në pah lakuriq papërgjegjshmërinë, paaftësinë dhe korrupsionin që e ka kapur në fyt qeverinë dhe kryeministrin është nga njëra anë një arsye më shumë për t’u bërë pjesë e proceseve integruese dhe është nga ana tjetër një detyrimi pashmangshëm i PSSH-së, i të gjithë opozitës, që sot është një popull i tërë i indinjuar me këtë kryeministër që nuk arrin dot të marrë përgjegjësinë e tij të pashmangshme politike dhe morale, e që duhet njëkohësisht të dorëhiqet, duke dorëzuar edhe imunitetin, për të marrë edhe përgjegjësinë ligjore që ka eventualisht në një proces që e shikon atë të përfshirë këmbë e duar”, - tha Rama. Ndërkaq, sipas burimeve në Kryesinë e Partisë Socialiste, mësohet se në mbledhje është folur për protestën e ditës së premte, të quajtur “Marshimi i heshtur”. Drejtuesit e Partisë Socialiste kanë vlerësuar reagimin qytetar në këtë protestë dhe mbështetjen e dhënë nga opozita, për të protestuar kundër kryeministrit Berisha. Kryesia e PS-së ka vendosur gjithashtu edhe vazhdimin e protestave të ngjashme, për të kundërshtuar mbajtjen e përgjegjësisë së kryeministrit Berisha dhe implikimin e tij në aferën korruptive, që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit.
25 Mars 2008