E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatkeqësia e Gërdecit rrezikon inflacionin e monedhës vendase

BSH-ja sinjalizon për rritje të qarkullimit të lekut jashtë bankave. Kjo ndodhi në fund të 2007-s kur qeveria rriti investimet publike
Ervin Koçi

Fatkeqësia e 10 ditëve më parë në Gërdec përveçse në nivelin ekonomik të zonës, pritet të ketë ndikim edhe në ekonominë e të gjithë vendit. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, vënia në dispozicion nga qeveria të shumave të mëdha të parave për dëmshpërblim për të dëmtuarit e kësaj fatkeqësie do të rrisë jo vetëm qarkullimin e parasë jashtë kanaleve bankare, por edhe do të ndikojë në inflacion. “Vënja në dispozicion e një pjese të kursimeve të qytetarëve dhe 6 miliardë lekëve nga buxheti i shtetit për rindërtimin e zonës, do të stimulojë qarkullimin e monedhës vendase jashtë kanaleve bankare”, - shpjegojnë ekspertët në sektorin financiar. Fenomeni i rritjes së qarkullimit të parasë pritet të shtojë njëkohësisht edhe kërkesën për monedhën vendase, për rrjedhojë vlera e lekut do të forcohet akoma. Për pasojë, rritja e qarkullimit të lekut pritet të shndërrohet në një fenomen për rritjen e inflacionit, i cili edhe pa "Gërdecin" ka qeëë gjithsesi i lartë. Fenomeni i qarkullimit të lekut jashtë bankave ndodhi edhe në kohën kur qeveria rriti fluksin e investimeve publike. Kjo ka ndodhur në fund të vitit 2007 ku si periudhë ishte dhe fundi i vitit financiar dhe ku nga ana e BSH-së u shënua dhe niveli më i lartë i inflacionit në vend. Në këtë periudhë, shpenzimet qeveritare për investime u rritën, pasi qeveria tentoi të përmbushë objektivat e buxhetit për shpenzime. Por ekspertët në Ministrinë e Financave shpjegojnë se situata në fjalë do të shoqërohet me kosto buxhetore, por ekuilibrat makroekonomikë nuk do të dëmtohen nga ky fenomen.

Inflacioni

Mbajtja e inflacionit në ekuilibër dhe rritja ekonomike do të arrihen sipas niveleve të parashikuara. Dy vitet e fundit, monedha vendase, leku, ka forcuar në mënyrë sistematike vlerat e këmbimit me valutat kryesore, euron dhe dollarin. Ky mbiçmim nënkupton uljen e konkurrencës ndaj tregjeve ndërkombëtare dhe atraktivitet më të lartë për importet e mallrave të huaja. Sjellja mbiçmuese e lekut, si në terma realë ashtu edhe nominalë, reflekton qëndrueshmërinë makroekonomike në vend, thellimin e diferencës së normave të interesit si dhe nivelet e krahasueshme të inflacionit me partnerët kryesorë.

Forcimi i lekut

Pozitat e lekut janë forcuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj dollarit amerikan mesatarisht me 12.4 për qind, duke arritur në 83.38 lekë për USD në fund të kësaj periudhe. Ecuria e lekut ndaj monedhës amerikane është ndikuar kryesisht nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, ku dollari ka humbur pikë të vazhdueshme ndaj euros duke pasqyruar problemet e ekonomisë amerikane. Kursi mesatar i lekut ndaj euros për tremujorin e fundit të vitit ishte 121.69 lek/euro, duke u mbiçmuar me 1.6 për qind në terma vjetorë. Forcimi i pozitës së lekut, përveç ndikimit nga faktorët sezonalë të kësaj periudhe, ka pasqyruar edhe efektin e kërkesë-ofertës për monedhën europiane në këtë fundvit. Të dhënat e muajit janar 2008 tregojnë mbarimin e efektit sezonal dhe rikthimin e kuotimit të lekut pranë niveleve mesatare vjetore.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›