Opozita: Berisha, përgjegjës i tragjedisë, jo institucionet e sigurisë
PS, LSI, PDS dhe PSD: Kryeministri të mos shfajësohet, por të dorëhiqet. Partitë e opozitës denoncojnë përpjekjet e Berishës për të shmangur përgjegjësitë
Shaban Sulçe
Opozita ka reaguar në bllok ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili përgjegjësinë e tragjedisë së Gërdecit ua u faturoi disa institucioneve shtetërore, për të cilat tha se do t’i nënshtrohen reformimit. Kjo deklaratë e Berishës është cilësuar e pamoralshme nga partitë opozitare, të cilat dje ripërsëritën kërkesën e tyre për dorëheqjen e tij, duke e cilësuar atë si shkaktarin kryesor të tragjedisë së Gërdecit. PS, LSI, PSD dhe PDS kanë denoncuar taktikën e kryeministrit për t’iu shmangur përgjegjësisë nga kjo tragjedi.
PS
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, deklaroi se kryeministri Berisha po përpiqet dëshpërimisht për t’u shfajësuar nga përgjegjësia për tragjedinë, ndërkohë që ai është vetë shkaktari dhe përgjegjësi kryesor i kësaj ngjarje kriminale. “Në Gërdec ka ndodhur një krim i përmasave të jashtëzakonshme. Një krim që në Kodin Penal cilësohet vrasje. Një vrasje e lidhur me një korrupsion shtetëror të përmasave të jashtëzakonshme. Një vrasje që duhet të hetohet si një krim për të cilin ka bashkëpunëtorë në cilësinë e organizatorit dhe ekzekutorëve. Në krye të hierarkisë së kësaj strukture qytetar-vrasëse është pa dyshim kryeministri i vendit. Ai me veprimet apo mosveprimet e tij ka krijuar kushtet ligjore e administrative për krijimin e kësaj tragjedie. Asnjë shqiptar nuk mundet të pranojë dhe besojë se kjo ngjarje erdhi vetëm për shkak se një ministër Mbrojtje dhe strukturat poshtë tij nuk kryen mirë detyrat e tyre. Aq më tepër të pranojë se çdo kush është fajtor, përveç zotit Berisha”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj.
LSI
Sekretari i LSI-së për Çështjet e Brendshme, Sokol Dervishaj, denoncoi përpjekjen e kryeministrit Berisha për t’ia shkarkuar përgjegjësitë e tij të drejtpërdrejta për tragjedinë institucioneve të sigurisë kombëtare. “LSI denoncon thellimin e përpjekjeve të kryeministrit për të shkarkuar të gjitha përgjegjësitë e tij të drejtpërdrejta kushtetuese, ligjore, administrative, politike e morale, në drejtim të institucioneve të sigurisë kombëtare për çka ka ndodhur në Gërdec, duke e trajtuar këtë ngjarje të paprecedentë si një dështim të këtyre mekanizmave shtetërorë, të cilat ai i konsideron në mënyre abuzive të papërgjegjshme dhe të pamoralshme, si tërësisht jashtë fushës së tij të përgjegjësive direkte apo indirekte, duke dashur të lajë duart si Ponc Pilati”, - tha ai. Lidhur me çështjen e reformimit të institucioneve të sigurisë kombëtare, Dervishaj tha se LSI-ja është e gatshme të bashkëpunojë, por me kusht që kryeministri Berisha të jetë dorëhequr më parë. “LSI shpreh bindjen e saj të thellë se ristrukturimi i mekanizmave të Sigurisë Kombëtare nuk mund të kryhet nga një kryeministër që i ka goditur dhe shkatërruar ato më shumë se kushdo tjetër. Ky është një proces i gjerë dhe kompleks dhe nuk mund të realizohet nën trysninë e përpjekjeve për të fshehur përgjegjësit kryesorë të një krimi shtetëror dhe një organizate me profil të qartë kriminal, që mori jetën e dhjetëra njerëzve të pafajshëm, shkatërroi ekonominë e mijëra banorëve, duke i rikthyer edhe një herë ata në marsin e vitit ‘97”, - tha anëtari i Kryesisë së LSI-së, Sokol Dervishaj.
PDS
Ndërkaq, sekretari Politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkallari tha se kryeministri Berisha po përdor demagogjinë e reformimit për t’iu shmangur përgjegjësisë që ka në tragjedinë e Gërdecit. “PDS konstaton me keqardhje se përpjekjet e Berishës për t’ia faturuar përgjegjësinë për tragjedinë e Gërdecit herë shërbimeve sekrete, herë Shtabit të Përgjithshëm dhe herë doganave apo inspektorateve të tij janë përpjekje mjerane për t’u hedhur shqiptarëve hirin syve. Krateri i Gërdecit nuk mund të mbulohet me reforma nga një demagog si Berisha, pasi tashmë çdokush ka kuptuar se vetë ai, kryeministri, rezulton i përzierë
familjarisht në aferat e dyshimta të tregtisë së armëve dhe municioneve të Ushtrisë Shqiptare”, - tha Duçkallari.
PSD
Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, tha se kryeministri Berisha po vazhdon të mashtrojë opinionin publik për tragjedinë e Gërdecit, në të cilën ai është përgjegjësi dhe shkaktari kryesor i saj. “Kryeministri Berisha, i cili po vazhdon të mashtrojë opinionin publik, është përgjegjësi kryesor, urdhëruesi dhe organizatori i masakrës. Krimi i qeverisë dhe i kryeministrit është publik. Ky është një krim shtetëror, për qëllime të pastra përfitimi”, - tha kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi.
25 Mars 2008