Fondi i emergjencës ndahet plotësisht për familjarët në nevojë
Departamenti i Informacionit pranë qeverisë ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Postave dhe Bashkia Vorë ka vazhduar normalisht shpërndarja e fondit të emergjencës për fshatin Gërdec dhe Marqinet. Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, si dhe drejtoresha e Filialit të Postës së Tiranës, zonja Arta Kazazi, gjatë një konference të përbashkët shtypi bënë të ditur ecurinë e procesit të shpërndarjes së fondit të emergjencës të akorduar nga qeveria në ndihmë të banorëve të prekur nga tragjedia e 15 marsit. Vlera e këtij fondi arrin në rreth 86 milionë lekë. Shpërndarja e parave ka nisur ditën e diel dhe deri mesditën e djeshme ka përfunduar shpërndarja e ndihmës për banorët e fshatit Gërdec. Nga 177 familje në këtë fshat, kanë tërhequr paratë 172 familje dhe kanë mbetur pa tërhequr vetëm 5 prej tyre. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare, deri në orën 15:00 kanë tërhequr ndihmën financiare 470 familje nga 527 që janë gjithsej në të dy fshatrat. Në sportelet e postës në Vorë janë afishuar listat me emrat e banorëve që përfitojnë ndihmë. Shpërndarja kryhet duke u bazuar në dokumentacionin e lëshuar nga gjendja civile e Bashkisë Vorë dhe autorizimet e kryebashkiakut të Vorës, të cilat vërtetojnë personin që përfiton këtë ndihmë. Gjithashtu, Komisariati i Policisë së Vorës u ka ardhur në ndihmë banorëve duke bërë transportin e tyre deri në shtëpitë apo vendbanimet ku ata ndodhen përkohësisht.
Qeveria, ndihmë nga Pentagoni për të trajtuar fshatin Gërdec
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se qeveria ka kërkuar ndihmë nga Pentagoni për të trajtuar fshatin Gërdec, i cili është ende i infektuar nga lëndë plasëse. Ai u shpreh se qeveria është në pritje të një përgjigjeje pozitive nga ana e Pentagonit. “Repartet e ushtrisë në këtë zonë kanë punuar me të njëjtën shpejtësi, përgjegjësi dhe përkushtim që kanë punuar grupet e vlerësimit, por në kushtet e një rreziku shumë të madh. Në raportimin e fundit, ata informojnë se nga 1000 ha zonë e banuar, e infektuar, 900 ha janë tërësisht të kontrolluar dhe autorizojnë në këtë zonë qarkullimin në banesa dhe në rrugët rreth tyre. Ndërkohë, janë 100 hektarë, përfshi edhe vendin ku ndodhi eksplozioni, në kontroll e sipër. Ushtria, e cila po bën një punë me vetëmohim, ka mbledhur deri tani, në këto 900 hektarë të kontrolluar, 5000 predha të parrezikshme, por ka mbledhur gjithashtu edhe 690 predha të një rrezikshmërie shumë të lartë. Ata nuk i eksploduan ato në këto zona, për të mos thelluar traumën, por i kanë sistemuar në arka dhe i kanë larguar tërësisht nga zona e Gërdecit. Këto efektiva kanë bërë një punë jashtëzakonisht të çmuar”, - tha Berisha.
Kryesia e PR-së zbret në bazë për të diskutuar vendimet
Kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane Sabri Godo, si dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë së Partisë Republikane, kanë zhvilluar ditët e fundit takime me Asambletë Rajonale të PR-së në qendra prefekturash. Temat kryesore të këtyre takimeve të anëtarëve të kryesisë së Partisë Republikane kanë qenë vendimet e marra kohët e fundit nga Kryesia e PR-së. Anëtarët e kryesisë kanë informuar mbi takimin e zhvilluar midis përfaqësuesve më të lartë të PR-së me kryetarin e Partisë Demokratike. Ata kanë sqaruar vendimin lidhur mbi qëndrimin e mospërfaqësimit të PR-së me një portofol ministror në qeverinë aktuale derisa organi i pavarur i Prokurorisë së Përgjithshme të shprehet për tragjedinë e ndodhur. Sabri Godo, i shoqëruar edhe nga anëtarë të tjerë të kryesisë, zhvilloi takime në Vlorë, Gjirokastër dhe Fier, ku mori mbështje për vendimet e marra nga kryesia e PR-së si dhe mori mbështetje të veçantë nga degët lokale të saj për kryetarin PR-së, Fatmir Mediu.
25 Mars 2008