Procedurat e dëmshpërblimit, brenda kësaj jave lekët në bankë
Përfundimi i procedurave për vlerësimin e dëmit të ndërtesave dhe orendive shtëpiake ka bërë gati mundësinë që banorët të marrin dëmshpërblimin sa më shpejt që të jetë e mundur. Sipas qeverisë, kjo do të bëjë të mundur që fondi të ndahet brenda kësaj jave. Ndër të tjera, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Financave marrjen e masave për bërjen sa më parë disponibël të fondit dhe përcaktimin e mënyrave të shpërndarjes së tij. Duke kërkuar hapjen e llogarive bankare për familjet sipas listave të hartuara, Kryeministri tha se është i domosdoshëm një proces trajnimi për përdorimin e këtyre llogarive nga ana e qytetarëve. “Zoti Ministër i Financave, është jashtëzakonisht e rëndësishme që jo vetëm të bëhen sa më parë disponibël fondet, por të përcaktohen dhe modalitetet e këtij disponimi. Këto para duhet të vendosen në llogaritë bankare të familjeve, sipas listave të hartuara. Në rast se ka vështirësi në shfrytëzimin e depozitave bankare, është i domosdoshëm një proces edukimi dhe trajnimi i qytetarëve”, - tha Berisha. Kështu, çdo kryefamiliar do të tërheqë paratë në një nga degët e bankave duke paraqitur mandatin që ka siguruar nga grupet e vlerësimit. Duke bërë të ditur se kjo shumë do të bëhet disponibël menjëherë për të gjithë kryefamiljarët apo familjarët e autorizuar të 3615 objekteve shtëpi dhe biznese, kryeministri u shpreh se këtu nuk përfshihen shpërblimet e tjera apo shpenzimet e bëra nga kovalishenca, ku ndodhen mbi 600 banorë të sistemuar. Kryeministri Berisha kërkoi ditën e djeshme, gjatë mbledhjes së qeverisë, që Shtabi i Emergjencës Civile të përcaktojë një grup pune për të verifikuar çdo ankesë që mund të kenë qytetarët në lidhje me vlerësimin e dëmit. “Shtabi i Emergjencës Civile ka bërë një punë jashtëzakonisht intensive. Tashmë është e domosdoshme që ky shtab të përcaktojë, nëpërmjet kryetarit të Bashkisë së Vorës, grupin e punës për çdo ankesë që qytetarët kanë për vlerësimin e dëmit. Fatmirësisht, i tërë informacioni është i përpunuar në variantin elektronik, por edhe shkresor. Për këdo që do të ketë pretendimin edhe më të vogël, ekipi do të shkojë me të dhe krahas paraqitjes së dokumentit do të riverifikojë me përgjegjësi të plotë terrenin”, - u shpreh kryeministri.
25 Mars 2008