Aleanca që “varrosin” qindra milionë lekë investime
Fitorja e paralajmëruar e Vllaznisë la një shije të keqe edhe për tifozin më të thjeshtë e Dinamos. “Nëse do të bëhen lëshime të tilla, do të jetë një turp”, - citohet kryetifozi i Dinamo, Met Nallbani, nga gazeta sportive “Sport Ekspres”. “Ne kemi aq forca sa të luajmë në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë. Duam Dinamon e vërtetë”.
Po cila Dinamo luajti në Shkodër. Kryesuesja e kampionatit dhe në luftë të hapur për titull me Partizanin, me të cilin e ndajnë vetëm dy pikë (51-49), kur kanë mbetur edhe shtatë javë nga përfundimi i sezonit, paraqiti një skuadër eksperimentale, të paimpenjuar dhe të pamësuar me futbollin profesionist.
“Pa dyshim që do të jetë një ndeshje e fortë, pasi përballë kemi skuadrën kryesuese të kampionatit”, - u shpreh para ndeshjes trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, por përballë Vioresin Sinanit me shokë u paraqitën fëmijë.
“Një gjë mund të garantoj, që nga ne do të luhet futboll i pastër...Unë nuk e përjashtoj edhe fitoren ndeshjes. Por, edhe barazimi do të më kënaqte”, - theksoi në intervistën e tij pak orë para ndeshjes trajneri i Dinamos, Ilir Daja. Por, skuadra e tij u shkërmoq, aq sa topi i parë në drejtim të portierit të Vllaznisë, Grima, u gjuajt pas 35 minutash lojë.
“Unë nuk kam asnjë lidhje me këto hamendësime të medias për ndeshjen me Dinamon. Ne fituam takimin. Nuk ka asnjë kompromis midis nesh. Dinamo nuk dëshiroi të kualifikohej, nuk donte të rrezikohej. Ndoshta, në Shkodër mund të dilte e dëmtuar me lojtarët”, - tha presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj gjatë një interviste për “Albania”-n.
Nga kampi i Partizanit nuk ka asnjë prononcim. Gjithçka është parë në opsionin se në futboll janë të mundshme të tria rezultatet, përfshirë edhe ato me rezultat të thellë.
Por ka një pyetje që shtrohet. Thjesht edhe si një përçapje për të kuptuar “topin me shumë cepa” të futbollit shqiptar. Si ka mundësi që Dinamo lëshon në gjysmëfinalen e Kupës, kur ajo nuk e ka të sigurt fitimin e kampionatit?
Në shtypin sportiv u fol haptazi për një kompromis midis dy ekipeve, madje shkoi deri në akuzë për një lëshim të mundshëm të Dinamos për hir të kampionatit, duke paracaktuar se edhe ndeshja Shkumbini-Dinamo do të fitohet nga blutë.
Si mund të paraqitet një skuadër elitare me lojtarë të rinj, ku dyshen sulmuese e përbënin dy lojtarë të rinj, të cilët nuk kanë asnjë minutë në këmbët e tyre në kampionat.
“Specifikë e Kupës”, - mund të argumentohet nga klubi blu. Por, një justifikim i tillë nuk mund të pranohet edhe nga specialisti më fanatik prodinamovit. Por nuancat e një fituesi të paravendosur mund të ketë vetëm një përcaktim: trukim.
Fundi i kampionatit gjithmonë ka prodhuar aleanca virtuale të fshehta dhe të hapura midis një grupi ekipesh. Llogari të pranueshme. Por, që dëmtojnë skuadrat që bëjnë garë të pastër.
I dëmtuari i madh është vetëm Partizani, që përpos kusureve të dy paraqitjeve të varfra në kampionat kundër Kastriotit (0-0) dhe Flamurtarit (0-3), i duhet të përballet edhe me “sistemin” që në jo pak raste presidenti i të kuqve, Albert Xhani, e ka pohuar se ekziston.
Nuk mund të jetë një justifikim se nuk luaj në Kupë pasi më intereson kampionati. Atëherë përse merr pjesë në kupë një ekip, madje bën të pamundurën për të shkuar deri gjysmëfinale apo në finale?. Europa, përpos titullit kampion, është objektivi kryesor i çdo klubi të Kategorisë Superiore.
Shumat e hedhura nga presidentët apo donatorët e klubeve për të mbajtur një klub në nivel të lartë, në atë të Superligës janë disa qindra milionë lekë. Te Tirana pohojnë se donatorët derdhin deri në 1 milion dollarë në sezon. Presidenti i Besës, Bizhdili, pohon se sakrifica e tij financiare për të mbajtur skuadrën kavajase i shkon 600-700 mijë dollarë, të tjerët luhaten nga 200-500 mijë dollarë.
Atëherë, përse hidhen gjithë këto shuma marramendëse, kur kompromiset janë në mos të hapura, bien erë. Është thjesht një pjesë e lojës së futbollit me “këmbë të pastra” apo shembulli më i mirë i atij me “këmbë të pista”
Para pak muajsh, kur në Shqipëri ende vazhdonte të ishte temë e nxehtë hamendësimi i ndeshjeve të ashtuquajtura të shitura të Kombëtares shqiptare me Bjellorusinë e Rumaninë (akuzat arritën në nivel kryeministri), përfaqësues të Ministrisë të Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve (zëvendësministri Spahia), të Shoqatës së Prokurorëve (prokurori Hajdari) dhe të Zyrës së Mbrojtjes së Qytetarëve propozuan amendimin e disa neneve që kishte të bënte ndëshkimin e të gjithë atyre që personave të implikuar në parafiksimin e fatit të ndeshjeve, me pasojë financiare apo jo dhe që u përcaktua si një lëvizje për “këmbë të pastra”
Penaliteti i propozuar ishte në vlerë monetare edhe me vite burg.
Nuk do të doja të besoja se Vllaznia-Dinamo (4-0) e përmbush këtë kriter, pasojat e të cilit do të krijonin një standard në Shqipërinë e porsaftuar në NATO.
10 Prill 2008