E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushaj mohon: “Asnjë kompromis me Dinamon”



Drejtuesit më ta lartë të Dinamos pohuan për “Radio Tirana” pas përfundimit të pjesës së parë (4-0), se pak u interesonte mbërritja në finalen e Kupës së Shqipërisë, kur objektivi i tyre kryesore sezonal ishte fitimi i Kampionatit të 69-të Kombëtar, që do të ishte edhe i 17-ti për ta, titull që mungon në shtëpinë blu prej sezonit 2002-2003.
“Albania” kontaktoi në linjë telefonike menjëherë pas përfundimit të takimit me presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj, për të marrë edhe opinionin e tij rreth fitores madhështore të skaudrës së tij, njëherësh edhe fitorja e 10-të në 31 takimet e zhvilluara kundër Dinamos (12 fitore, 9 barazime).

Zoti Fushaj, urime. Një fitore e thellë e Vllaznisë ndaj Dinamos.
Ishte një fitore shumë e bukur, e kënaqshme për ne, pavarësisht se Dinamo nuk kishte ardhur me skuadër të plotë, pasi nuk e ka si objektiv Kupën.
A e prisnit këtë rezultat kaq të thellë?
Normalisht që unë e prisja fitoren e Vllaznisë, por kurrsesi jo kaq të thellë, pasi nuk e dija se me çfarë formacioni do të luante Dinamo.
Në shtypin sportiv është folur për një kompromis midis dy ekipeve, madje shkoi deri në akuzë për një lëshim të mundshëm të Dinamos për hir të kampionatit, duke paracaktuar edhe fituesin. Cili është komenti juaj?
Unë nuk kam asnjë lidhje me këto hamendësime të medias për ndeshjen me Dinamon. Ne fituam takimin. Nuk ka asnjë kompromis midis nesh. Dinamo nuk dëshiroi të kualifikohej, nuk donte të rrezikohej. Ndoshta, në Shkodër mund të dilte e dëmtuar me lojtarët.
E konsideroni si të kualifikuar Vllazninë pas rezultatit 4-0?
Besoj se po.
Tirana fitoi 3-0 në Elbasan dhe është edhe ajo thuajse e kualifikuar për në finale, ku do të ndeshet me Vllazninë. Në finalen e vitit 2006 sfidën midis tyre e gjykuan arbitra italianë (kryesor Farina), a do të kërkonit sërish gjyqtarë të huaj, duke parë faktin se të dyja ekipet e kanë objektiv madhor Kupën?
Gjithçka varet se si do të shkojnë punët, por do të mendoj në ditët në vazhdim. I rëndësishëm është fakti, se ndeshja finale nuk do të luhet në kryeqytet. Unë mendoj se për punën e gjyqtarit gjithçka do të zgjidhet më mirëkuptim, atëherë mund të kërkohet edhe gjyqtar i huaj.
Faleminderit dhe suksese Vllaznisë në finale!

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›