“Shamitë e bardha” dhe fati i trajnerëve shqiptarë
Dash Frashëri
Skocezi Sër Aleks Ferguson drejton “Djajtë e kuq” të Mançesterit qysh prej vitit 1986. Francezi Arsen Venger ndodhet në krye të bankinës së “Topçinjve” të Arsenalit nga viti 1997. Shembuj jetëgjatësie dhe personaliteti të dy prej trajnerëve më të mirë në botë në kampionatin më të ndjekur dhe me të fortë, boll të kujtojmë faktin se në tetë ekipet më të mira të Ligës së Kampioneve katër ishin nga Anglia. Gjithsesi, kjo hyrje e mbushur me lavdi për futbollin më të fortë në botë, është në kontrast të dukshëm me realitetin e trishtuar të futbollit shqiptar, që renditet i 84-ti më i fortë në botë, ku njeriu që mund të mbetet pa asnjë lloj keqardhje i papunë është trajneri, qoftë ky edhe me një CV me tituj kampionë.
PAKËNAQËSIA E TIFOZËVE – Kur në “Santiago Bernabeu” apo në “Kamp Nou” tifozët tundin shamitë e bardha, ata kanë dhënë një sinjal të frikshëm për trajnerin e Realit të Madridit dhe Barcelonës. Bankina e tyre është realisht e rrezikuar, ndërsa presidentët e klubeve respektive, Ramon Kalderon dhe Huan Laporta edhe pse konfimojnë vazhdimisht trajnerët (Shuster e Rajkard), njëherësh njerëz pranë tyre furnizojnë shtypin me “thashetheme” pikante.
Presidenti i Besës, Nexhat Bizhidili i kërkoi dorëheqjen Sulejman Starovës për shkak të pakënaqësisë së tifozëve të Besës, duke e lënë për herë të dytë të papunë brenda një sezoni trajnerin 2-herë kampion të Shqipërisë: me Partizanin, 1992-1993 dhe Tiranën, 2004-2005. Nga 23-herë kampionia e Shqipërisë, Tirana, ish-trajnerin e Teutës e shkarkuan jo vetëm humbjet me Flamurtarin (1-0 dhe Skënderbeun (4-2), por edhe këmbëngulja e njërit prej katër donatorëve (Refik Halili). Duke parë lëvizjet e trajnerëve gjatë këtij edicioni, ku vetëm tre skuadra nga 12 ekipe që marrin pjesë në Kategorinë Superiore nuk i kanë zëvendësuar teknikët (Partizani, Elbasani, Shkumbini), përfundimi është tronditës.
ROLI I PRESIDENTIT - Saimir Dauti, një ish kampion si lojtar me Dinamon (1996-1967) dhe trajner i disa skuadrave, sot një specialist i njohur i futbollit, deklaroi në “Fokus Sport” të televizionit “Koha”: “Futbolli shqiptar duket se luhet nga presidentët dhe lojtarët, duke shmangur trajnerin”. Dhe kishte plotësisht të drejtë. Në fakt, presidentët, donatorët apo dhe krerët e bashkive, janë ata që mbajnë me financimet e tyre futbollin shqiptar. Presidentët e zgjedhin trajnerin e radhës për shkak të vlerave të tyre, por e largojnë nga mosafirmimi i tyre. Në jo pak raste, vlerësimi i bosët të klubeve është subjektiv ndaj një trajneri, i cili mund të shkarkohet shumë më thjesht se të largohej një lojtar, i cili ka një kontratë legale të dorëzuar në Sektorin e Garave. Kur Besa humbi me Kastriotin në fazën e dytë (2-1), fajin e morri përsipër jo trajneri rumun Silviu Dumitresku (i “arratisur”), por presidenti Bizhdili. Besa fitoi 3-0 me Shkumbinin në javën e 25-të, por në të 26-n, skuadra kavajase humbi 3-1 me Elbasanin, në një ndeshje që kishte nota shumë miqësore, por që solli edhe shkarkimin e Starovës, falë disa thirrjeve të tifozëve verdhezinj. Tirana e këtij sezoni, përpos paraqitjeve të varfra në kampionat, në anën tjetër të medaljes shfaqi një krizë të hapur marrëdhëniesh midis katër donatorëve Halili, Papuli, Ngjela e Nuri, ku herë njëri mbështeste trajnerin, ndërsa tjetri vendoste ultimatum së nëse nuk largohej (Starova apo Hafizi), do të ndërpriste financimin.
ALEANCA BOSËSH - Kampionati i varfër shqiptar njihet edhe si arena e madhe e kompromiseve, ku skuadrat bëjnë aleancë midis tyre, jo vetëm për dhënë e marrë pikë, por edhe për të “ekzekutuar” skuadra bezdisëse. Gjatë sezonit 2005-2006, Skënderbeu e konsideroi veten viktimë për hir të mbijetesës së Teutës (luajtën play-off), ndërsa në sezonin 2006-2007, ishte Luftëtari që akuzoi skuadrat e tjera se kishin preferuar Shkumbinin e Shqipërisë së Mesme, se sa të udhëtonin në Gjirokastrën e largët. Në sezonin aktual (kanë mbetur për t’u luajtur edhe shtatë javë), Skënderbeu është skuadra e parë që i ka dhënë lamtumirën Kategorisë Superiore, ndërkohë që janë tri skuadra të tjera: Kastrioti, Besëlidhja e Teuta, që luftojnë midis tyre, që të mos bëhen shoqëruesi i parë i “Mister Skënderbeut”. Fati i secilës, përtej performancës së tyre, varet jo pak nga aleancat e ekipeve që ndodhen në mesin e artë dhe nuk kanë asnjë objektiv sezonal për të përmbushur.
Kampionë, por të papunë
NEPTUN BAJKO - Ish-trajneri i Besëlidhjes, Neptun Bajko, pohoi se përjetoi vetëm një ditë të lumtur kur morri drejtimin e skuadrës lezhjane, për të qenë trajneri i tretë i saj, pas Stavri Nicës dhe Ridvan Kullit. Ish-trajneri i Kombëtares vlerësohet si një nga teoricienët më të mirë të futbollit në Shqipëri. Me një titull kampion si trajner te Partizani (1986-1987), ai u shkarkua çuditërisht pas fitores me në transfertë me Skënderbeun (2-0).
ASTRIT HAFIZI - Pasuesi i Neptun Bajkos në stolin e Kombëtares shqiptari, mban edhe rekordin si trajneri shqiptar me më shumë ndeshjen me përfaqësuesen. Ish-trajneri kampion me Vllazninë (1991-1992) ka drejtuar për pak javë Dinamon, por në rikthimin e tij të parë në punë te Tirana, pas tetë vitesh mungesë, nuk mund ta mendonte kurrsesi se pas disa javëve rezultatesh pozitive, do të shkarkohej nga skuadra më e pasur në Shqipëri. Tashmë, i “urti” Hafizi është një i papunë, por jo si Murinjo që, dje u shpall si trajneri që fiton më shumë në botë.
MIREL JOSA – Ish-trajneri kampion i Tiranës (2003-2004), Mirel Josa, vendosi një standard në Shqipëri, kur shoqata e tifozëve të Vllaznisë kundërshtoi vendimin e presidentit Valter Fushaj për shkarkimin e ish-trajnerit të Skënderbeut. Gjithsesi, fati dhe rezultatet me oshilacione të mëdha të Vllaznisë sollën shkarkimin e tij të dytë nga 9-herë kampionët e Shqipërisë. Josa, ish-ndihmësi i Sulejman Demollarit, kur ky i fundit drejtonte Kombëtaren e Shqipërisë, është një tjetër kampion i papunë.
HYSEN DEDJA - Trajneri kampion (me Vllazninë 1997-1998), e nisi aventurën e tij për këtë sezon me Teutën, nënkampionen e Shqipërisë dhe finalisten e fundit të Kupës së Shqipërisë 2007 (fitoi Besa). Strategjia e re e presidentit të klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu, për të ndërtuar një ekip me emra të rinj, provokoi edhe dështimin e skuadrës, por prodhoi edhe largimin pa kushte të shkodranit Hysen Dedja.
Rikthimi i kampionëve
SULEJMAN MEMA – Tirana e këtij sezoni e nisi me një Sulejman (Starovën) dhe po e përfundon me një tjetër Sulejman (Memën). Në mes të dyve qëndron shkodrani Astrit Hafizi. Të tre trajnerë kampionë. Sulejman Mema, një “pinjoll” i familjes stërmadhe bardheblu, ka fituar dy tituj me kampionë me Tiranën në sezonet 1995-1996 dhe 1998-1999. Ish-trajneri i Partizanit (fitoi 1 Kupë të Shqipërisë dhe 1 Superkupë) synon fitimin e Kupës së Shqipërisë gjatë këtij edicioni futbollistik. Nëse Tirana do të eliminojë Elbasanin (drejton një ish-trajner i Tiranës, Alimehmeti), Mema do të drejtonte finalen e tretë të tij: Tirana-Dinamo 1-0 (2002), Partizani-Dinamo 1-0 (2004).
ILIR DAJA - Partizani mposhti Dinamon (2-0) në ballafaqimin e tyre të fundit në kampionat, ç’ka solli edhe shkarkimin (me celular) të trajnerit Agim Canaj. Në vend të tij, presidenti “blu” Besnik Sulaj emëroi Ilir Dajën, trajnerin që i dha Elbasanit titullin e dytë (2005-2006) pas atij të fituar në sezonin 1983-1984 (trajner Frederik Jorgaqi), edhe pse Elbasani merrte pjesë qysh nga kampionati i parë shqiptar, ai vitit 1930 me emrin “Urani”.
DERVISH HAXHIOSMANOVIÇ- Humbja në “Loro Boriçi” kundër Teutës i kushtoi stolin Mirel Josës. Shtypi sportiv përmendi disa emrash kandidatësh, por në mendjen e presidentit Valter Fushaj, ishte malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç. “Deda” është edhe trajneri i fundit që i dha një titull Vllaznisë (2000-2001), duke qenë njëherësh një nga gjashtë trajnerët që kanë sjellë te klubi më i vjetër në Shqipëri trofeun e madh e duke bashkuar me kampionë të tillë si Ibrahim Dizdari (1945), Ernest Halepiani (1946), Xhevdet Shaqiri (1971-1972, 1973-1974 dhe 1977-1978), Ramazan Ragami (1982-1983), Astrit Hafizi (1991-1992) dhe Hysen Dedja (1997-1998).
Tre kampionë për vendin e tretë
Tirana edhe pse në stol gjatë këtij sezoni punësoi tre trajnerë me mentalitetin e kampionit: Sulejman Starovën (të shkarkuar), Astrit Hafizin (të shkarkuar) dhe Sulejman Memën (në detyrë) ka bërë gjatë sezonit 2007-2008 një nga paraqitjet më të varfra në 17 vitet e fundit, ku ajo ka dominuar plotësisht me 9 tituj kampionë, që nga sezoni 1990-1991. Tirana ndodhet në vendin e tretë me 44 pikë, por ka humbur shumë nga personaliteti i asaj skuadre që prodhonte lojë të bukur, të shoqëruar edhe me një grintë të rrallë. Kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje për t’u luajtur 23-herë kampionët ndodhen gjashtë pikë larg vendit të dytë (Partizanit) dhe tetë pikë larg Dinamos kryesuese (52 pikë).
Të huajt
Janë në detyrë ende dy të tillë: Dervish Haxhiosmanoviç (Vllaznia) dhe Slavko Kovaçiç (Flamurtari), që të dy të ardhur në zhvillim e sipër të kampionatit, kur zëvendësuan respektivisht Mirel Josën dhe Eqerem Memushin. Në fillim të kampionatit në drejtimin e Besës ishte rumuni Silviu Dumitresku.
Trajnerët e këtij sezoni
TIRANA: Sulejman Starova (java 1-3), Ardian Mema (4), Astrit Hafizi(5-18), Sulejman Mema (nga java 19).
TEUTA: Hysen Dedja (java 1-5), Gentian Begeja (6-12), Kristaq Mile (nga java 13).
BESA: Silviu Dumitresku (rumun, java 1-12), Ilirjan Haxhia (13), Sulejman Starova (nga java 14-26), Haxhiu-Haxhiaj (nga java 27)
KASTRIOTI – Ramazan Ndreu (java 1-6), Vasil Bici (java 7-), Ramazan Ndreu (nga java
SKËNDERBEU – Petrika Konomi (Java 1), Renato Rrapo (java 2, 12, 14-18 e në vazhdim), Faruk Sejdini (3-11), Shkëlqim Velo (java 13), Renato Rrapo (nga java 18).
BESËLIDHJA - Stavri Nica (java 1-2), Renato Kulli (3-13), Neptun Bajko (java 14-22), Ilir Gjyla (nga java 23)
DINAMO - Agim Canaj (java 1-21), Ilir Daja (nga java 22).
VLLAZNIA - Mirel Josa (java 1-23), Dervish Haxhiosmanoviç (nga java 24)
FLAMURTARI - Eqerem Memushi (java 1-23), Slavko Kovaçiç (nga java 24)
3 TË “MBIJETUARIT”
Partizani: Hasan Lika
Elbasani: Krenar Alihmeti
Shkumbini: Gugash Magani
Duka gol Berishës, Topi ndërkombëtarizon topin
Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, Bamir Topi në “fushën e futbollit”, duket se prodhoi edhe fundin e një konflikti 3-vjeçar midis shtetit shqiptar dhe shoqatës “Federata Shqiptare e Futbollit”, pasoja e të cilit ishte edhe pezullimi ndërkombëtar i Shqipërisë nga FIFA e UEFA për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike. Ministri përgjegjës për Sportet, Ylli Pango (i dyti në qeverinë Berisha) pranoi gjatë një konference shtypi se do të firmoste nenin problematik (60) të statutit sipas variantit që do t’i sillte atij institucioni i drejtuar nga Armand Duka. Bosi i FSHF-së nga pozicioni i mbrojtësit, tashmë, ndodhet në një status të ri, atë të golashënuesit ndaj portës qeveritare. “Presidenti (Topi) ka kuptuar shumë qartë, që ky nen (60) është ndryshuar se është kundër ligjeve. Ai ka dhënë një sugjerim dhe ne presim që ai të merret në parasysh nga FSHF-ja. Le të më vijë ky nen i statutit të ndryshuar si të duan ata (FSHF)”, - tha Pango, i cili gjatë firmosjes së statutit shtoi togfjalëshin “sipas legjislacionit shqiptar”. “Sugjerimi i presidentit kërkon te merret si shembull ligji italian, francez, apo ndonjë tjetër dhe ky nen të jetë sipas një vendi të zhvilluar europian, pasi nuk ekziston ky nen në asnjë statut të ndonjë federate që është pjesë e UEFA-s”, - sqaron ministri. “Jo më larg se dje (të hënën) jam takuar me këshilltar të presidentit dhe kemi rënë dakord. Pres që zoti Duka të bëjë këtë (shkrimin e nenit) dhe është e mbaruar çështja”. Por, nëse dy pikat nga tre pikat e kërkuara nga FIFA e UEFA, ato të statutit dhe çështja e shitjeve të ndeshjeve me Bjellorusinë e Rumaninë, pika e tretë, ajo e kontrollit financiar është ende e nxehtë. Ministri Pango deklaroi se ajo nuk i përket institucionit të tij, por Ministrisë së Financave. Drejtoria e Përgjithshme e Auditit e ka përfunduar tashmë auditin dhe pjesë të tij janë publikuar në disa media shqiptare, përfshirë edhe gazetën “Rilindja Demokratike”, gazetë e Partisë Demokratike.
Shqipëria ka afat deri në muajin maj, kur mblidhet edhe Kongresi i UEFA-s për të shpëtuar nga pezullimi, por zhvillimet e fundit duket se do ta rikthejnë sërish vendin tonë në arenën ndërkombëtare për të luajtur miqësoren me Poloninë (27 maj), pasi më parë kishte humbur miqësoret me Arabinë Saudite (21 mars) dhe Moldavinë (26 mars). Sido që të përfundojë telenovela më e gjatë e futbollit shqiptar, fituesi i madh nuk është kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe as presidenti i Republikës, Bamir Topi në rolin e mediatorit, por topi shqiptar, i çliruar një herë e mirë e përgjithmonë nga ndikimi politik, që herë merr ngjyra blu (të djathta) dhe herë të kuqe (të majta).
Kupa e Shqipërisë
Gjysëmfinalet
9 prill, 16:30
VLLAZNIA-DINAMO
ELBASANI-TIRANA
* Ndeshjet e kthimit luhen më 23 prill
9 Prill 2008