E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranvera e Festivalit të Tiranës

 

Për herë të tretë zhvillohte në Tiranë "Tirana Music Festival". Masterklas falas për studentët shqiptarë e bursa studimi për më të mirët

Në edicionin III "Tirana Music Festival" ndihet më i sigurtë, ka gjetur bashkëpunim më të mirë. Për të shfrytëzuar sezonet shkollore, festivali muzikor i zhvilluar nga Akademia Muzikore e Umbrias në bashkëpunim me Akademinë e Arteve dhe Institutin Italian të Kulturës, këtë vit vjen në pranverë. Dje nisi në ambientet e Akademisë Festivali Muzikor i Tiranës. Përgjatë një jave (23-30 prill), muzikantët e rinj zhvillojnë masterklase me pedagogë italianë, zhvillojnë koncerte dhe në fund për më të mirët do të ndahen bursa e çmime. Për të rinjtë shqiptarë, gjithçka është falas. Dje në një konferencë për shtyp, organizatorët shpjeguan se ç'pritet në këtë edicion. Për presidentin e festivalit, Piero Vincenti, organizimi nuk ka qenë aq i lehtë. "Kur nuk ka një strukturë të ngritur në Tiranë, është e vështirë, por këtë vit kemi gjetur më tepër mirëkuptim. Ndryshimi i drejtimit në Akademinë e Arteve, ka qenë vendimtar në organizimin e festivalit", - thotë Vincenti. Dekani i Fakultetit të Muzikës, prof. doc. Sokol Shupo, thotë se ky aktivitet, modestisht quhet festival, pasi është një atelier i përbashkët që u shërben shumë studentëve. Ai shprehu interesin që Akademia tregon ndaj festivalit dhe gatishmërinë për të "vënë në dispozicion gjithçka, pa rezerva". Ndërsa drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Flavia Tibaldi, shprehu mbështetjen e Qeverisë Italiane me bursa për studentët më të mirë. Edhe këtë vit ofrohet kurs për piano me prof. Maria Terza Carunccio, kanto lirike me prof. Carmen Gonzalez, violinë me prof. Crtomir Siskovic, violonçel me prof. Claudio Casadei (kurs i ri i futur për herë të parë këtë vit), kitarrë me prof. Claudio Piastra, laborator orkestral / muzikë dhome me prof. Marco Pontini dhe klarinetë me prof. Piero Vincenti. Këtë vit Akademia Muzikore Umbria vë në dispozicion të pjesëmarrësve shqiptarë në "Tirana Music Festival" 3 bursa studimi për në Shkollën Superiore të Muzikës të Akademisë Muzikore Internazionale, për vitin 2009 (regjistrim dhe pjesëmarrje falas në një prej kurseve të parashikuara). Si dhe 5 bursa studimi për në ambientet e Festivalit Internacional Umbria Estate 2009. Parashikohen edhe 3 koncerte për një ose me tepër grupe shqiptare në "Umbria Estate". Gjatë javës së festivalit dos të mbahen 7 koncerte, jo vetëm në Tiranë. Koncerti i parë është sot në Teatrin "Aleksandër Moisiu" në Durrës, vijon në Teatrin "Skampa" të Elbasanit dhe ndalet në skenën e Akademisë së Arteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›