E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët e PD-së, të ndarë për qëndrimin ndaj Topit

Naço: Kuvendi nuk noterizon dekretet e Presidentit

Aleatët e Partisë Demokratike nuk janë në të njëjtën valë qëndrimi për sa i përket luftës politike që ka nisur mes grupit parlamentar demokrat dhe Presidentit Topi. Refuzimi i tre dekreteve të Presidentit Topi për gjyqtarët nga ana e grupit të PD-së ka hapur siparin e një lufte e cila pritet të jetë e gjatë. Por ndërsa PD është e bindur se refuzimi i tre dekreteve nga ana e Topit është i përligjur dhe i drejtë, pjesëtarët e tjerë të mazhorancës qeverisëse shfaqen “të ftohtë” në mesin e këtij debati. Kështu, deputeti i LSI-së, Nasip Naço, deklaron se rrëzimi i dekreteve të Presidentit të Republikës nga ana e Parlamentit nuk përbën precedent, por shprehje të zbatimit të Kushtetutës dhe rregullores. Shqetësimet e përcjella nga Partia Socialiste lidhur me refuzimin nga shumica parlamentare të kandidaturave të kreut të Shtetit janë vlerësuar krejt ndryshe nga numri dy i Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço. “Unë nuk shoh ndonjë problem në këtë pikë. Kandidaturat janë dëgjuar në seancë, është marrë në konsideratë përvoja e tyre, është bërë vlerësimi dhe mandej është kaluar në votim. Madje, sipas meje, edhe votimi i hapur lidhet me integritetin e çdo deputeti dhe nuk mendoj se sjell probleme. Në fund të fundit, Parlamenti nuk noterizon dekretet e Presidentit, por diskuton dhe debaton mbi to dhe pastaj vendos”, deklaroi për “Shqip”, Naço. Qëndrimi në fjalë shfaqet si një interpretim që zbeh vlerën e shqetësimeve dhe paralajmërimeve të opozitës socialiste, e cila në rrëzimin e dekreteve të Presidentit për kandidaturat e Gjykatës së Lartë ka parë një tentativë të Sali Berishës për kontrollin e gjyqësorit. Në këtë kuadër, një qëndrim ndryshe nga LSI u bë i njohur edhe në votimin e kandidatit Sokol çomo, për të cilin partia e Ilir Metës votoi pro, çka e bëri rrëzimin e tij përgjegjësi të PS-së, e cila u largua nga salla në momentin e votimit. Në aspektin politik, një pozicion i këtillë i LSI-së, i përcjellë më parë dhe nga kreu i saj, Ilir Meta, aktualizon një autonomi të saj në vendimmarrjen e koalicionit qeverisës, duke sinjalizuar një dinamikë të re parlamentare. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, nuk dëshiron të shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë për konfliktin e fundit mes PD-së dhe Presidentit Topi. Sipas tij, qëndrimi i PDU-së për çështjen e dekreteve të Presidentit u bë i ditur gjatë seancës plenare, kur emrat e kandidaturave u votuan. “Qëndrimin e kemi treguar dhe do ta tregojmë me votën tonë”, thekson Idrizi në një prononcim për “Shqip”. Dy deputetët e PDU-së kanë abstenuar gjatë votimit të emrave të rrëzuar nga PD në Parlament. Po të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti demokrat i Shkodrës, Paulin Sterkaj, i cili tashmë është pjesë e grupit parlamentar të LSI-së. Seanca ku këta emra u votuan tregoi një përçarje të madhe mes mazhorancës, saqë numrat e saj u barazuan me ato të socialistëve.

Mazhoranca i ka rrëzuar tre dekrete Presidentit të Republikës, një për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Vangjel Kosta, dhe dy për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë: Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj. Kjo situatë solli reagimin e Presidentit Bamir Topi, i cili paralajmëroi se do të veprojë me të njëjtën monedhë për kandidaturat e tjera që do të vijnë nga qeveria apo dhe pushtete të tjera. Por mazhoranca ka reaguar sërish ashpër, duke bërë të ditur se nuk shqetësohet nga “kërcënimi” i kreut të shtetit. Një situatë kjo, që vetëm paqe institucionale nuk sjell në këto ditë të nxehta.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›