E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e dyfishtë e Pojanit, hetimet përqendrohen te nderi

Korçë Dyshohet se dyqanxhiu mund të ketë pasur lidhje jashtëmartesore në fshat

Një lidhje jashtëmartesore mund të jetë bërë shkak për vrasjen e dyfishtë në fshatin Pojan. Vrasja e Altin Liçollit dhe Arben Micës po hetohet nga policia si një krim për çështje nderi.

Që nga mbrëmja e së dielës, Policia e Korçës po kryen hetime intensive për zbulimin e autorit të vrasjes dhe deri tani ka arritur në konkluzionin se personi i vënë në shënjestër nga ana e autorit të krimit ka qenë pronari i dyqanit ushqimor ku ndodhi ngjarja, 32-vjeçari Altin Liçolli. Ai është qëlluar në mënyrë direkte, ndërsa ka qenë në banakun e dyqanit të tij, ndërsa viktima tjetër, 42-vjeçari Arben Mica, është kapur rastësisht nga plumbat. Sipas policisë, autori i krimit ka qenë në pritje të marrjes së turnit nga Altin Liçolli dhe e ka kryer krimin vetëm 20 minuta pasi shënjestra e atentatit kishte zëvendësuar bashkëshorten në dyqan.

Ndërkohë, për faktin se 32-vjeçari kishte një dyqan ushqimor dhe, nga ana tjetër, kryente furnizime me materiale ndërtimi, shumë persona kanë pasur borxhe ndaj tij. Policia ngriti si pistë të mundshme hetimi për vrasjen edhe faktin se ndaj viktimës kishte persona që kishin borxhe të pashlyera, por ndërsa hetimet janë thelluar, policia ka ngushtuar rrezen duke hetuar më shumë mbi jetën personale të 32-vjeçarit Liçolli. Sipas ekspertëve të policisë, shkak për vrasjen mund të jetë bërë një femër, një lidhje jashtëmartesore e dyqanxhiut të fshatit.

Burimet e policisë thanë se janë disa raste të dyshuara që viktima, me qëndrimin e tij moral mund të ketë cenuar nderin e ndonjë familjeje, duke provokuar kështu hakmarrjen. Edhe kryerja e krimit, sipas hetimeve të policisë, është kryer në qetësi. Autori e ka planifikuar vrasjen dhe ka zgjedhur momentin për të vepruar në mungesë të dëshmitarëve. Ai ka qëlluar fillimisht mbi 32-vjeçarin Altin Liçolli, duke shtënë direkt mbi të, ndërsa ai ndodhej në banakun e dyqanit. Për shkak të fushëpamjes së kufizuar, autori ka qëlluar disa herë, duke lënë të plagosur rëndë me katër plumba në shpinë shokun e viktimës, Arben Micën, i cili më pas ka gjetur vdekjen në spitalin e Korçës.
Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje mbi 50 persona nga fshati Pojan, duke përfshirë ndër të dyshuarit edhe bashkëfshatarë të dyqanxhiut, që kanë marrë tek ai ushqime me listë. Për faktin se edhe dy ditë pas krimit policia nuk ka mundur të ketë një të dyshuar për vrasjen, janë ngritur postblloqe të shumta dhe janë kryer kërkime intensive në zonë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›