Xhaçka: Zv.kryeministri, në hall për mandatin
Deklarimet e zv.kryeministrit Ilir Meta kanë marrë edhe dje një përgjigje të posaçme nga Partia Socialiste. Pas kërkesës së tij për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me fletët e votimit, deputetja e selisë rozë, Olta Xhaçka, ka reaguar duke e akuzuar kreun e LSI-së për demagogji dhe hipokrizi në raport me qytetarët shqiptarë. “Shqiptarët janë mësuar me Ilir Metën që ndryshe thotë, e ndryshe bën. Në fillim u tha shqiptarëve se Sali Berisha duhet nxjerrë në pension e më pas bashkoi votat e marra si socialist për të mbajtur Saliun në pushtet... Një vit më parë u tha shqiptarëve se zgjedhjet u manipuluan, por më pas u bë vetë pjesë e manipulimeve në Ndroq, ku kutitë e mbyllura fshehin të vërtetën se Ilir Meta nuk e ka fituar mandatin e deputetit”, deklaroi Xhaçka. Ajo ka dhënë kështu një arsye shtesë për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, arsye e cila ngre pikëpyetje mbi të vërtetën e mandatit të numrit dy të qeverisë shqiptare. Përndryshe, kjo akuzë e PS-së duket se e bën të paragjykueshëm edhe pozicionin e Metës në kuadër të krizës politike që zgjat prej 1 viti. Duke u përqendruar te sugjerimi i këtij të fundit për trajtimin kushtetues të fletëve të votimit, deputetja Xhaçka ka preferuar kontekstin politik, që për PS-në mbetet i njëjti. “Pa transparencën e së shkuarës, nuk mund të ecet përpara, dhe djegia e fletëve të votimit në asnjë rast nuk mund të jetë opsion”, tha ajo.
#