E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS: Duhet hetim i plotë për 28 qershorin

Kufiri për bisedimet

Gramoz Ruçi do të jetë negociatori socialist për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Ky është vendimi i mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i cili ka zgjedhur kreun e vet si përfaqësues në bisedimet me Partinë Demokratike. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, tema e ditës e mbledhjes së djeshme ka qenë lidhur me negociatat dhe qëndrimin e PS-së për transparencën e zgjedhjeve, e cila me rezolutën e Parlamentit Europian ka fituar një perspektivë të re politike. Mandatimi i Ruçit jo vetëm respekton aspektin protokollar që ka të bëjë me caktimin e kreut të grupit demokrat, Astrit Patozi, si përfaqësues i shumicës, por lidhet edhe me nivelin politik të trajtimit të çështjes. Ruçi është njëkohësisht edhe drejtuesi numër një i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe si i tillë përfaqësimi socialist në këtë takim është i pakontestueshëm. Me interes mbetet gjithsesi përmbajtja e axhendës së Ruçit në takimin e sotshëm me Patozin, pasi lidhur me çështjen e krizës politike në vend palët ndahen në një aspekt teknik, i cili është përcaktues. Kështu, edhe ngritja e komisionit parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit shoqërohet me debate për sa i përket hapjes së kutive të fletëve të votimit, çka do të jetë objekt diskutimi edhe në takimin e sotshëm. Madje, sipas optikës opozitare, heqja dorë nga kërkesa për vlerësimin e fletëve si provë materiale për hetimin parlamentar do të shënonte jo vetëm mbylljen e kauzës së transparencës, por edhe kapitullimin e saj në mes të betejës. Në këtë kuadër, zgjedhja e Gramoz Ruçit si negociator i jep një mesazh paraprak shumicës së drejtuar nga Sali Berisha, që për çështjen e fletëve të votimit mbahet ende tek argumentimi i vlerësimit të tyre nga Gjykata Kushtetuese. Në pikëpamje institucionale, vendimi i djeshëm i grupit parlamentar është akti i parë i njohjes dhe reagimit ndaj rezolutës së 8 korrikut të Parlamentit Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›