Pesë të plagosur në aksident
Një aksident i rëndë automobilistik ndodhi në orët e mbrëmjes së djeshme në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd. Aksidenti, sipas burimeve policore, ndodhi në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”, pranë fshatit Mirakë, rreth orës 19.30. Në këtë aksident u përfshinë një fuoristradë tip “Mitsubishi” me targa EL3119C, që drejtohej nga Ramazan Tanushi 59 vjeç dhe autovetura me targa EL9709B që drejtohej nga Xhevahir Shabani, 55 vjeç. Si pasojë e përplasjes së fuqishme kanë mbetur të plagosur rëndë pesë persona që ndodheshin në veturën e drejtuar nga Xhevahir Shabani. Sipas burimeve policore, të dëmtuarit e këtij aksidenti janë Rrahman Hoxha 62 vjeç, Tafil Mema 55 vjeç, Restor Qerushi 41 vjeç, Ferit Hoxha 62 vjeç dhe Edmir Fero 26 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë shëndetësore, por pa rrezik për jetën. Nga hetimet paraprake, sipas ekspertëve të policisë, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të të dyja mjeteve.
#