E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatët e PS refuzojnë zonat e lira

03/12/2004  Aleatët e socialistëve kanë hedhur poshtë ofertën e bashkëpunimit në koalicionin zgjedhor në shkëmbim të mbështetjes së qeverisë aktuale. "Ndryshimet në ekzekutivin aktual janë çështje e mandatit aktual qeverisës dhe bashkëpunimi paraelektoral është një kapitull, i cili nuk është hapur ende, dhe ka të bëjë me mandatin e ardhshëm qeverisës. Në këto momente, në këto situata të zhvillimeve politike, askush nuk do të mendojë se ka interes që të përziejë të dy këto aspekte, që janë të ndryshme në kohë", janë shprehur partitë aleate të PS-së në "Koalicionin për Integrim". Në këtë kontekst, është theksuar se përfshirja e tyre në qeveri duhet të ndërmerret para datës 15 dhjetor. Pas kësaj, mbështetja me vota në parlament nuk do të jetë e garantuar. Kriza, që ka përfshirë "Koalicionin për Integrim" po thellohet në këtë fundviti. Kjo pasi ideja e socialistëve për t'iu ofruar aleatëve nga 100 zona elektorale, që ka vendi disa zona të lira, nuk ka gjetur konsensus.

Aleatët

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, shpreh rezervat e tij për ndryshimet në qeveri, ndërkohë që thekon se çështjet për bashkëpunim paraelektoral nuk janë aktuale për momentin. Sipas tij, "bashkëpunimi paraelektoral është një kapitull, i cili nuk është hapur ende, dhe ka të bëjë me mandatin e ardhshëm qeverisës". Të njëjtin mendim ndan dhe kreu i agrarëve, Lufter Xhuveli, pasi partisë së tij nuk i interesojnë zonat e lira që mund t'i ofrojë PS-ja. "Nuk jemi të interesuar që të kemi zona të lira dhe PS-ja ndoshta ka nevojë të reflektojë mbi propzimet e partive aleate". Për kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, loja, që po përpiqet të bëjë PS-ja, nuk është asgjë tjetër veçse një pazar. Milo tha se "nuk është logjike që të bëhet një gjë e tillë, sepse qoftë ndryshimet në qeveri, qoftë edhe bashkëpunimi elektoral janë pjesë e një pakete të vetme, të cilën ne duhet ta diskutojmë në mbledhjen e ardhshme të kryetarve të partive të "Koalicionit për Integrim".

Buxheti

Socialistët kanë theksuar dje se ndryshimet në qeveri nuk kanë pse të përfshihen në çështjen e votimit të buxhetit të shtetit. Por, ndryshe nga kjo, aleatët e PS-së kanë kërcënuar se 10 votat e tyre nuk do të jenë për miratimin e buxhetit. Votat që disponojnë aleatët në Kuvend janë një kusht që po i parashtrohet PS-së për miratimin e buxhetit të shtetit për 2005. Aleatët, me 10 votat e tyre në parlament, do të bënin shumicën e nevojshme për kalimin e buxhetit. PS-ja tashmë ka vetëm 67 deputetë dhe i duhet dhe 4 vota shtesë për të kaluar buxhetin dhe për të vazhduar e qetë qeverisjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›