E Diel, 1 Nëntor 2026

Tani një shtëpi me 800 euro/metri2

03/12/2004  Tani një shtëpi do të kushtojë mesatarisht 750 euro metri katror. Misioni i FMN-së, i kryesuar nga Olters, nuk i la shteg Komisionit të Ekonomisë për të vendosur ndryshe. FMN këshilloi, dhe shpesh këshillat e saj, ashtu si edhe ligjet nuk janë diskutuar, që TVSH-ja për ndërtimin të aplikohet në vitin 2006. E përkthyer ndryshe do të thotë që të gjitha kontratat që do të lidhen këtej e tutje për blerjen e shtëpive, të bëhen me çmime 20 për qind më të shtrenjta. Një pallat do të paktën një vit e gjysmë të ndërtohet, në këtë mënyrë kontratat që lidhen që në themelet e tij, do të kushtojnë me çmimet e pas një viti e gjysmë. Aktualisht, një shtëpi kushton mesatarsht 600 euro për metër katror. Ndërhyrja e FMN-së do të bëjë që këtij çmimi t’i shtohet 20 për qind, ose rreth 120 euro/metër2. Kjo do të bëjë që çmimi të shkojë të paktën 720 euro/metër2. Por, duke i qëndruar deklartës së kreut të ndërtuesve, Dulaku, se çdo tregtar, kur rriten taksat ka mundësi abuzimi, si dhe duke marrë opinionin e disa ndërtuesve, mesatarisht çmimi i një metri katror ka gjasa të jetë 750 euro. Dhe ky çmim për FMN-në duhet të fillojë të aplikohet që tani. Sepse vendosja e TVSH-së për ndërtimin në vitin 2006, do të thotë rritje e çmimeve një vit më parë.

Duket se FMN është shumë e dashuruar me TVSH-në. Aplikimin e TVSH-së për biznesin e vogël, që deri dje u arrit të hiqej nga paketa e re fiskale, FMN-ja këshilloi të rivendoset. Nga 1 janari, sipas mendimit të FMN-së, të gjitha bizneset me xhiro vjetore mbi 80 mijë euro, duhet të paguajnë TVSH. Kjo do të përkthehet sërish rritje çmimesh për konsumatorët. Këta të fundit, sipas FMN-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, që matin ekonominë e vendeve në zhvillim, renditet ndër më të varfërit në Evropë. Vendosja e TVSH-së për bizneset e vogla, do të thotë një rritje tjetër e çmimeve, mesatarisht me 20 për qind. Pasi çdo taksë paguhet nga konsumatori. Kjo do të ndodhë edhe me TVSH-në e biznesit të vogël. Ndryshe nga shtëpitë, biznesi i vogël tregton dhe prodhon shërbime dhe produkte utilitare, të pazëvendësueshme dhe jetike për jetën e njerëzve. Si të tilla, ato të blihen përditë dhe do të ndikojnë në rritjen e kostos së jetës.

Këshillat e FMN-së, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë i ka cilësuar si vërejtje. “Pati vërejtje për disa çështje që ishin pranuar nga Komisioni si tatimi mbi dividentin dhe TVSH-ja për subjektet juridike të biznesit të vogël“, ka deklaruar Ylli Bufi pas takimit. Komisioni i Ekonomisë akoma nuk kishte vendosur datën e saktë të hyrjes në fuqi të TVSH–së për ndërtimin, por ai ishte tërhequr përpara presionit të biznesit, për TVSH-në e biznesit dhe për dividentin e tatimit të të ardhurave. Por duket se këto çështje do të kenë rastin të ridiskutohen me një tjetër frymë në Parlament, kur Buxheti dhe Pekata do të marrin vendimin përfundimtar. “Këto janë çështje që do t’i mbeten për diskutim Parlamentit”, ka pranuar Bufi. Gjithsesi duket se, tashmë në krah të Ministrisë së Financave është grupi i punës së FMN-së, që në axhendën e vet ka një vënd të veçantë për Buxhetin dhe Paketën Fiskale. r. gj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›