Aleatët e PS-së kërkojnë protesta në shtator
Ndërsa socialistët janë në pritje të shtatorit për të shpalosur kursin e tyre të ri politik, aleatët e tyre shtojnë presionin që ajo t’i kthehet qëndrimit të ashpër kundrejt qeverisjes aktuale. Përveç Gjinushit, i cili në mënyrë periodike gjatë këtyre muajve ka denoncuar kursin e ri politikë të PS-së, edhe aleatë të tjerë të saj, si Spartak Ngjela apo Nard Ndoka, vlerësojnë se protestat dhe reagimet popullore do duhet të ishin rruga që duhet të ndjekë opozita në shtator. “Nëse nuk do të ketë një reflektim nga ana e kësaj mazhorance, aksioni opozitar do të vazhdojë sërish me protesta, me demonstrata dhe me luftë parlamentare”, - u shpreh Ndoka. Ndërkohë që akoma më i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij është kreu i PLiDr-së, Spartak Ngjela, i cili, duke iu referuar situatës aktuale politike, u shpreh se “Saliun nuk e pranuan dhe kjo ne na jep arsye që ta godasim ashpër me lëvizje popullore”.