Ceka: Presidenti nga populli kërkon shumë ndryshime
Zgjedhja e Presidentit nga populli është një opsion i pamundur. Kështu vlerëson kreu i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, sipas të cilit do të duhej që të ndryshohej e gjithë Kushtetuta. “Do të duhet një Kushtetutë e tipit francez, sepse një President që zgjidhet nga populli duhet të ketë fuqi ekzekutive siç i ka për shembull presidenti amerikan apo ai francez. Është gjithmonë një artificë e partive politike, dhe kryesisht e Partisë Socialiste, për të marrë një post me forcë”, vlerësoi Ceka. Në këndvështrimin e tij, PS-ja, duke ndjekur traditën e Partisë Komuniste, vrau të gjithë aleatët e saj dhe ndaj humbi dhe kjo është arsyeja kryesore. “Një parti që nuk ndan pushtet është e dënuar të dështojë në Shqipëri. Marifetet për të marrë pushtetin me ndryshime kushtetuese janë shumë të lexueshme dhe nuk tregojnë gjë tjetër veçse një krizë të thellë identiteti dhe personalitetesh në PS”, u shpreh Ceka. Kreu i Aleancës Demokratike mendon se Kushtetuta ka dhënë një zgjidhje që nuk ka nevojë për ndryshime të tjera. “Presidenti zgjidhet vërtet me një shumicë të cilësuar prej 71 deputetësh, por nga ana tjetër mbetet konsensual, sepse mandati i tij nuk përkon me atë të Kryeministrit, pra nuk është se partia që është në pushtet ka domosdoshmërish dhe Presidentin.