Alzheimer, cilët janë më të rrezikuarit
Numri i të sëmurëve me Alzheimer mund të dyfishohet në 20 vitet e ardhshme në të gjithë botën. Për të shmangur këtë sëmundje, rekomandohen ushtrimet fizike.
Shkencëtarët hedhin hipotezën se në shfaqen e kësaj sëmundjeje dëmtojnë pirja e duhanit dhe mungesa e aktivitetit fizik
A ka strategji për të shmangur sëmundjen e Alzheimerit? Kohë më parë frika e njerëzve ishte nga kanceri. Por në ditët tona është sëmundja e Alzheimerit që ngjall më shumë frikë. E ndërsa trajtimet efikase mbeten ende për t’u zbuluar, mjekër po përpiqen të gjejnë strategjitë e parandalimit.
Disa studiues amerikanë kanë paraqitur një projekt ku kanë bërë me dije se miliona raste në botë të prekjes nga kjo sëmundje mund të shmangen duke mbajtur në parametrat e duhur hipertensionin, pirjen e duhanit, obezitetin dhe mungesën e aktivitetit fizik. Dihet se disa faktorë, kryesisht ata vaskularë, favorizojnë sëmundjen e Alzheimerit, edhe pse nuk është shkaku i tij. Por mbetet të shihet nëse duke i ulur këta faktorë mund të na çojnë në parandalimin e sëmundjes, shpjegon profesori Philippe Amouyel.
Ka më shumë se 10 vjet studime të cilat kanë vënë në dukje se të trajtosh tensionin e lartë, të ulësh masën e aksidenteve kardiovaskulare, këto kishin një impakt mbi rreziqet e Alzheimerit. Disa studime të tjera kanë nënvizuar efektin mbrojtës që vjen nga aktiviteti fizik.
Shtatë faktorët e rrezikut
Rezultatet e publikuara online nga revista Lancet Neurology, thonë se në përgjithësi shtatë faktorë mund të çojnë në sëmundjen e Alzheimer. Sipas studimit, nëse do të kihen parasysh këta faktorë, atëherë do të kemi një ulje të 25 për qind të rasteve.
Për të mbërritur në këtë konkluzion, shkencëtarët kanë bërë të mundur dhe gjetjen e një përqindjeje për rastet e faktorëve të rrezikut që sjellin këtë sëmundje.
Por, sipas rezultateve, aktiviteti intelektual duket se ka një rol mbrojtës dhe ka një përqindje deri në 19 për qind. Pas saj vjen përdorimi i duhanit me 14%, mungesa e aktivitetit fizik 13%, depresioni 11%, hipertension 5%, obeziteti 2%, diabeti 2%.
Nëse nga këto të dhëna vihet re se kishte më shumë të sëmurë me Alzheimerit te personat që kanë një aktivitet intelektual më të ulët apo te duhanpirësit, ende nuk është provuar se, nëse duke ndryshuar këta faktorë, mund të ketë edhe një parandalim të kësaj sëmundjeje. Për të pasur provën se një gjë e tillë është efikase, duhen bërë studime të tjera, duke i plotësuar edhe me studime në vende të tjera të Europës.
Sipas studiuesve, sëmundja e Alzheimer është kthyer në një problem në mbarë botën, prandaj është e domosdoshme që të gjenden metoda që kanë si qëllim depistimin dhe parandalimin. Sipas statistikave, numri i të prekurve nga kjo sëmundje në të gjithë botën mund të dyfishohet, duke kaluar nga 35,6 milionë aktualisht në 65,7 milionë më 2030-n, statistika këto nga shoqata Alzheimer's Disease International.