E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aleatët, jo në listën e PD-së”

 

ADI SHKEMBI

Për herë të parë, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të demokratëve është prekur çështja e listave të deputetëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputeti Bujar Leskaj ka kërkuar nga kryeministri Berisha që ndryshimet e miratuara të sistemit elektoral të mos pësojnë arnime të tjera që do të prishin në thelb sistemin. Sipas tij, partitë aleate po kërkojnë që të rikthejnë sërish sistemin e "Dushkut", duke tentuar të fusin emrat në listat e demokratëve. "Ne kur votuam ndryshimin e sistemit zgjedhor në Kuvend e votuam për të shmangur sistemin e "Dushkut" që u vërejt në zgjedhjet e mëparshme. Kryetarët e partive të vogla po bëjnë presion që ta dushkarizojnë këtë ndryshim të miratuar në Kuvend duke dashur të fusin emrat në listën tonë. As Ndoka, as Godo, as Mediu, as Pollo nuk kanë të drejtë të bëjnë presion mbi koalicionin", mësohet të ketë thënë Leskaj në pjesën me dyer të mbyllura të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se, kryeministri Berisha e përkrahu në parim kërkesën e deputetit demokrat, por ka shtuar se do të vlerësohen edhe marrëdhëniet me partitë aleate. Në të njëjtën kohë deputeti Leskaj ka ironizuar edhe shkrirjen e Partisë Demokratike me Partinë Demokrate të Re. "Me shkrirjen e Partisë Demokrate të Re me Partinë Demokratike duhet të tregohemi demokratë deri në fund. Me futjen e tre anëtarëve të PDR-së në kryesinë e PD-së dhe katër anëtarë të tjerë në Këshillin Kombëtar, ngelin jashtë vetëm shoferi dhe sekretarja e Pollos", mësohet të jetë shprehur deputeti Leskaj. Por kryeministri Berisha, i cili prej kohësh e ka përkrahur këtë proces të shkrirjes së këtyre dy partive, e ka marrë kaluar vetëm me një të qeshur. Gjithashtu Leskaj ka kërkuar nga administrata që të thellojë transparencën në të gjitha drejtimet si dhe për ata zyrtarë të niveleve të dyta, që kanë rezultuar si shkelës të ligjit në raportet e auditimit të merren masa disiplinore deri në shkarkimin e tyre nga postet që mbajnë. Në mbledhjen e djeshme kryeministri Berisha i është rikthyer sërish miratimit të reformave të rëndësishme në Parlament. Burime nga grupi pohojnë se, kryeministri Berisha ka deklaruar se reformat kryesore si ajo zgjedhore dhe ajo në drejtësi duhet të bëhen patjetër me konsensusin e opozitës. "Këto janë reforma që duan patjetër konsensusin e opozitës. Nëse miratojmë një ligj sot pa opozitën, nesër vijnë ata në pushtet dhe e zhbëjnë dhe miratojnë një ligj tjetër. Po ashtu edhe ne kur të vijmë sërish në pushtet do e zhbëjmë, duke mos arritur asgjë", është shprehur kreu i qeverisë në mbledhjen e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›