Ari Han, i shqetësuar për Duron
Problemi më shqetësues për trajnerin e Shqipërisë, Ari Han, mbetet dëmtimi i Klodian Duros. Paraqitja e tij kundër Hungarisë është ende në dyshim. Ai ka munguar në dy ndeshjet e fundit me ekipin e tij qipriot Omonia. Lojtari ka thënë se do të përpiqet që të jetë patjetër në këtë ndeshje, por burime nga stafi i përfaqësueses bëjnë të ditur se rikuperimi i tij pas dëmtimit që pësoi kundër Mançester Sitit në Kupën UEFA, nuk ka ecur me ritmin që pritej. Dëmtime më të lehta gjatë javës kanë pësuar edhe Hamdi Salihi e Edmond Kapllani, por të dy sulmuesit pritet të jenë të gatshëm për sfidën e së shtunës. Takimi mes Hungarisë dhe Shqipërisë do të luhet të shtunën në orën 19.45 në stadiumin “Ferenc Pushkash” të Budapestit. Kjo do të jetë ndeshja e tretë e kuqezinjve e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës “Afrika e Jugut 2010”. Stadiumi ku do të luhet ndeshja, “Ferenc Pushkash”, mban emrin e lojtarit më të njohur hungarez të të gjitha kohërave. Ai ka një kapacitet prej 68.976 vendesh të ulura. Punimet për ndërtimin e tij kanë filluar në vitin 1948 dhe kanë përfunduar në vitin 1953. Stadiumi është ndërtuar nga ushtria. Ambasada hungareze ka refuzuar dje të pajisë me viza të gjithë pjesëtarët që kishin aplikuar për vizë dhe që bënin pjesë në listën zyrtare të kërkesave të Federatës. Institucioni diplomatik hungarez e ka motivuar këtë vendim me faktin se brenda një dite mund të lëshojë një numër të caktuar vizash dhe në këtë rast numri i personave të paraqitur nga FSHF e tejkalonte atë të përcaktuar nga ambasada hungareze. Ky problem pritet të zgjidhet ditën e enjte.