KKRT: TV-të, kujdes me Enver Hoxhën
Aristir Lumezi
"Televizionet po trajtojnë me nostalgji figurën e Enver Hoxhës dhe glorifikojnë diktaturën e proletariatit". Këshilli i Etikës pranë Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit i relaton kryetares së tij, të kërkojë nga televizionet private në Shqipëri t'i trajtojnë me kujdes figurat e diktaturës, e veçanërisht atë të Enver Hoxhës. Përmes një relacioni, tre anëtarët e Këshillit të Etikës, Fatos Lubonja, Remzi Lani dhe Bashkim Hoxha, i kërkojnë kryetares së KKRT-së, Mesila Doda, rritje të vëmendjes ndaj televizioneve, që të mos i glorifikojnë figurat e komunizmit, pas disa transmetimeve të ditëve të fundit në televizione të ndryshme në prag të 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës. "Këshilli i Etikës i sugjeron Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit që, pa cenuar pavarësinë e paanësisë editoriale të çdo operatori radioteleviziv, mbështetur në Kodin e Etikës dhe në detyrimin për respektimin e normave etike dhe morale, t'u kujtojë operatorëve përgjegjësinë dhe zbatimin e këtij kodi, duke vlerësuar maksimalisht shqetësimin tonë dhe të opinionit publik për trajtimin e veprimtarisë së figurave të regjimit komunist në programet e mediave elektronike", thuhet në relacionin e Këshillit të Etikës. Ky shqetësim i këtij këshilli të rëndësishëm pranë KKRT-së, vjen menjëherë pas transmetimeve në mediat televizive kryesisht të bashkëshortes së Enver Hoxhës, Nexhmijes, por në të njëjtën klimë nostalgjike dhe të përgatitjeve për festimin e 100-vjetorit të lindjes së diktatorit komunist. "Këshilli i Etikës, pranë Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, ka ndjekur me vëmendje shqetësimin e ngritur nga mjaft qytetarë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile lidhur me paraqitjen në programe të ndryshme radiotelevizive të përgatitjeve për përgatitjet e 100-vjetorit të lindjes së diktatorit Enver Hoxha. Në disa televizione me audiencë të konsiderueshme vihet re një tendencë e intervistimit të familjarëve të diktatorit, emisione dhe lajme për këtë çështje, transmetim materialesh, filmime të kohës së diktaturës ku propagandohen ideologjia komuniste dhe glorifikohen diktatura e proletariatit", shprehen anëtarët e Këshillit të Etikës në relacionin e tyre. Shqetësimi i këtij këshilli qëndron në faktin se historia po shtrembërohet dhe po transmetohet mbi bazën e kronikave televizive të asaj kohe, duke cenuar kështu dinjitetin e të persekutuarve të diktaturës dhe viktimave të saj. Madje, sipas përfaqësuesve të këtij këshilli, kronika të tilla dëmtojnë në formimin e moshave të reja. "Nisur nga ky fakt, Këshilli i Etikës konstaton se rikthimi në ekrane në mënyrë ciklike, i figurës së Enver Hoxhës e trajtuar me prirje nostalgjike, përveç se shtrembëron të vërteta historike, lëndon dhe cenon ndjenjat dhe dinjitetin e një shtrese të madhe njerëzish të persekutuar, viktima të diktaturës e të diktatorit. Programe të tilla, pa shpjegimin e vendosjen në kohë të mesazheve tejet propagandistike e politike që mbartin, dëmtojnë të gjithë teleshikuesit, veçanërisht formimin dhe edukimin e fëmijëve dhe moshave të reja", shprehet Këshilli i Etikës.