Berisha: Edi Rama dhe PS të distancohen nga figura e Enverit
Kryeministri Berisha i kërkoi dje Partisë Socialiste të distancohet nga përpjekjet për të ridimensionuar figurën e Enver Hoxhës në 100-vjetorin e lindjes së tij. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të demokratëve, kreu i maxhorancës, i kërkoi Ramës "distancimin e prerë dhe të qartë të krerëve të PS-së ndaj këtij procesi sepse në dialektikën që ata i besojnë nuk ka shqiptar që nuk e di që butonat e ekranit të televizionit, ku u shfaq gruaja më mizore që shqiptarët kanë pasur në të gjitha kohërat në pushtet, ndodhen në zyrën e kryetarit të Partisë Socialiste". Madje, sipas Berishës, "për të mos përmendur largimin nga seanca parlamentare e deputetëve të majtë për të ndjekur poshtërimin që u bëhej shqiptarëve nga një grua, e cila ka qenë bashkautore e të gjitha krimeve monstruoze të burrit të saj, e cila edhe pas vdekjes së burrit nëpërmjet kukullave të kontrolluara si Ramiz Alia, që e kishte bashkautor në krime, nga firma që kishte vendosur për ekzekutimin e 27 intelektualëve për bombën në ambasadën sovjetike, gjer tek qindra lidhje e krimeve të dyshimta me njëri-tjetrin, kontrolloi Shqipërinë deri në tetor të '90-ës". Berisha vlerësoi se përligjja në ditët e sotme të krimeve të kryera nga Enver Hoxha është një krim i ri i shëmtuar ndaj shqiptarëve. Ndërkohë në pjesën me dyer të mbyllura të grupit të PD-së, deputetët Rexhep Uka dhe Ndriçim Babasi kanë kërkuar që të kalojë sa më shpejt ligji "Për verifikimin e figurave të zyrtarëve të lartë". "Meqë ata duan të ridimensionojnë figurën e Enverit, ne duhet të miratojmë sa më shpejt ligjin e Dosjeve", është shprehur Uka. Ndërsa sipas Babasit, "ligji duhet të miratohet sa më shpejt në Kuvend, pasi edhe në këtë godinë ka njerëz të infiltruar të atij sistemi". Por pavarësisht kërkesave të deputetëve demokratë, kryeministri Berisha është shprehur se, ky ligj do të kalojë, por duhet synuar miratimi i tij me konsensusin e opozitës. a.sh