Kuvendi, 70 vota për ministrin e PBDNJ-së
Kuvendi votoi mbrëmë për dekretet e Presidentit Topi për shkarkim dhe emërim të ministrit të Punës. Dekreti për shkarkimin e Kosta Barkës si ministër mori 68 vota pro, 33 kundër dhe 3 abstenime. Ndërsa dekreti i dytë për emërimin e Anastas Duros, si ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale mori 70 vota pro, 30 kundër dhe 2 abstenime. Në votimin për shkarkimin e Barkës votoi kundër Bujar Leskaj i PD-së dhe deputetët e PS-së. Ndërsa deputetët Meta, Legisi i LSI-së, si dhe Memushi i PS-së abstenuan. Ndërsa për votimin e dytë, socialistët votuan kundër emrit të Duros. Në sallë ka rënë në sy se një pjesë e mirë e demokristianëve nuk ishin të pranishëm. Kështu mungonin Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Frrok Gjini, ndërsa Ymer Tola ka votuar pro kandidatit të PBDNJ-së për ministër. Kuvendi, me kërkesë të deputetit të PDR-së, Tritan Shehu, shtyu votimin e dy dekreteve të Presidentit Topi për dy kandidatët për kreun e ILDKP-së.