E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aleatët kërkojnë ndryshime në 5 ministri

11/12/2004  Aleatët e Partisë Socialiste kanë kërkuar dje ndryshime urgjente në Këshillin e Ministrave, duke paraqitur propozime me emra konkretë. Kështu, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka kërkuar që katër ministri të shkrihen në dy. Sipas tij, Ministria e Financave duhet të bashkohet me atë të Ekonomisë. Ndërsa Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit duhet të bashkohet me Ministrinë e Rendit, duke ndërruar dhe emërtimin në "Ministria e Brendshme". Këto propozime, ai i ka mbështetur me faktin se Shqipëria nuk i ka kapacitete për të pasur një numër të madh ministrish. Ndërkohë dhe socialdemokratët janë treguar të ashpër, duke paralajmëruar dhe daljen nga Qeveria. Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale, Engjëll Bejtaj, tha dje se do të zbatojë vendimet e strukturave të partisë së tij, pasi është për respektimin e marrëdhënieve në koalicion. Megjithatë, sot "Koalicioni për Integrim" do të zhvillojë mbledhjen që do të jetë përcaktuesja për vijimin e bashkëpunimit. Mësohet se do të jenë Ministria e Kulturës dhe ajo e Ambientit, që do të jenë në qendër të synimeve të aleatëve të PS-së. Ndërsa socialdemokratët do të kërkojnë dhe një tjetër portofol, veç atij që kanë në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Në lidhje me këtë tryezë, zëdhënësi politik i PS-së, Gjergj Koja, ka këmbëngulur se aleatët duhet të paraqesin propozime më konkrete. Sipas tij, tryeza që do të zhvillohet sot, do t'i japë zgjidhje shumë çështjeve në koalicion, pavarësisht se aleatët fokusohen shpeshherë në emra konkretë dhe jo në parime. Në këtë mënyrë, socialistët sërish janë shprehur se nuk janë për ndryshime të emrave të ministrave, por për një bashkëpunim në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme. Në lidhje me këto zgjedhje, kreu i PBDNJ-së, Dule, tha se do të dalë i vetëm. Ndërsa vetëm sot do të deklarohen përfundimisht partitë e tjera të koalicionit qeveritar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›