E Diel, 1 Nëntor 2026

PD nis fazën e parë të fushatës

11/12/2004  Partia Demokratike nis sot fazën e parë të fushatës elektorale, nën moton "Ditët e Shpresës", e cila do të fillojë në Pallatin e Kongreseve dhe do të mbyllet më 22 mars në sheshin "Skënderbej". Për një periudhë katërmujore, kryetari i PD-së, i shoqëruar me drejtues të kësaj parite, do të zbresë në të gjithë qytetet e Shqipërisë, për të prezantuar programin e partisë më të madhe opozitare. Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se në këtë fazë do të shmanget organizimi i fjalimeve propagandistike, që do të zëvendësohen me spektakle, organizime festash në të gjithë vendin. Megjithatë, sipas kryedemokratit, pavarësisht nga karakteri festiv, në këtë udhëtim nuk do të mungojnë takimet me bazën, për identifikimin e figurave, të cilët do të kandidojnë për siglën e PD-së në qershor të vitit 2005.

Fushata

"Ky udhëtim do të shërbejë pa dyshim për kontretizimin, konsolidimin e linjës politike

kryesore të PD-së, partneritetit të saj më shoqërinë civile, botën akademike, mediat e

pavarura, biznesin shqiptar. Nuk ka lëkundje në këtë drejtim. Është udhëtimi i shpresës",

tha Berisha. Duke bërë një paralelizëm me 14 vjet më parë, kryedemokrati tha se

Shqipëria e asaj kohe nuk ndryshon shumë nga kjo e sotmja. Ishte fitorja e zgjedhjeve nga opozita në vitin 1992, që, sipas demokratëve, risolli shpresën se Shqipëria, më

në fund, do fillonte të ecte në rrugën e ndryshimeve, "prandaj e kemi quajtur "Ditët e

Shpresës". Berisha theksoi se "ky është një udhëtim për të risjellë shpresën te

shqiptarët, unë mendoj se ajo ekziston dhe aty ku mendohet se është shuar", tha lideri i

PD-së. Gjithsesi, Berisha la dhe një derë hapur për ish-aleatët e "Bashkimit për

Fitore".

Aleatët

"Unë kam shprehur se linja politike kryesore e Partisë Demokratike do të jetë partneriteti. Aleancat dhe vlerësimi i administratës janë edhe ato bashkudhëtare të kësaj linje", tha Berisha. Demokratët janë të bindur se nga këto zgjedhje do të dalin të fituar, madje, sipas tyre, e tregojnë edhe zgjedhjet e fundit për Pushtetin Lokal. Berisha pranoi se gjatë rrugës së saj forca më e madhe e opozitës ka pasur gabimet e saj. "Në zgjedhjet e fundit, PD-ja ishte logoja më e votuar. Asnjë forcë politike në Evropë, përfshi këtu opozitën serbe, nuk ishte objekt i sulmeve terroriste, akuzave monstruoze, përpjekjeve për ta asgjësuar, siç ishte PD-ja. Me këto absolutisht nuk ka moment të mbrojë as të injorojë gabimet e saj, por do të shërbejnë vetëm për të bërë një analizë të sinqertë të tyre", tha Berisha. Në fund të fjalës së tij, kryedemokrati ftoi të gjithë shqiptarët t'i bashkohen koncertit të madh, që organizohet me rastin e 14-vjetori të themelimit të PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›