Busek: Shqipëria jo si Ukraina
11/12/2004 Koordinatori i Paktit të Stabilitetit, Gerhard Busek, i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të mos reagojë në të njëjtën mënyrë si Ukraina për zgjedhjet parlamentare. Në këtë mënyrë, ai ka kërkuar respektimin e rekomandimeve për reformën elektorale si dhe krijimin e të gjitha hapësirave për zgjedhje demokratike që do të sjellin hapin më pozitiv në integrimin në Bashkimin Evropian. "Ligji elektoral dhe përgatitjet parazgjedhore janë të një rëndësie të veçantë për integrimin e vendit. Nuk duhet të përsëriten raste si të Ukrainës", është shprehur dje Bussek. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar një angazhim më konkret të administratës shqiptare për të realizuar investimet e duhura. "Investimt nuk janë në lartësitë e duhura, dhe unë shoh si pengesë për to burokracinë institucionale", tha Bussek. Ai zhvilloi dje takime me Kryeminsitrin Fatos Nano, ministren e Integrimit, Emelinda Meksi, ministrin e Transporteve, Spartak Poçi dhe një përfaqësi të biznesmenëve shqiptarë. Duket se deklarata e kreut të Paktit të Stabilitetit ka ardhur në kuadër të debateve në politikën shqiptare për reformat zgjedhore. Ka qenë kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili ka theksuar disa ditë më parë se, në rast se do të preken votat e lira, populli shqiptar do të veprojë si Ukraina për mbrojtjen e votës së lirë. Ndërsa vetë krerët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se, në rast të dëshimit të këtyre zgjedhjeve, nuk do të ketë nënshkrim të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, duke rrezikuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian si dhe financimin e një sërë projektesh me rëndësi të madhe për vendin tonë.