E Diel, 1 Nëntor 2026

Dushk, PS nis autobusa falas me studentë

11/12/2004  Përkrahës të Partisë Socialiste, studentë, të rinj, nga Tirana dhe Durrësi, u janë ofruar autobusa pa pagesë për të marrë pjesë në takimin që Fatos Nano ka zhvilluar dje në komunën e Dushkut. Vetëm një ditë para heshtjes elektorale në këtë zonë, ku të dielën do të zgjidhen 17 këshilltarë, janë sjellë sërish në vëmendjen e publikut deklarata të tipit "Dushk", nga përfaqësues të politikës shqiptare. Gjatë tubimit, Kryeministri Fatos Nano i është drejtuar banorëve, duke theksuar se "me emrin e komunës suaj është tentuar të bëhet politikë e mbrapshtë, të njolloset mbarë vendi, apo të mohohet gjithçka është arritur në sistemin tonë demokratik nga ata që e shkatërruan vendin në vitin ’96". Gjithashtu, Nano tha se "socialistët, asnjëherë nuk pranuan që emri i Dushkut të njolloset, apo të përdoret si simbol i pemës së shtrembër". Shkak i kësaj deklarate është se nga opozita, Dushku është konsideruar si simboli i manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2001, pasi nga ripërsëritja e votimit në këtë zonë kanë marrë mandatin 12 deputetë të majtë.

Premtimet

Duke aluduar për LSI-në, Nano e ka cilësuar Dushkun jo si "hambar të trafikimit të votave, por hambar të derdhjes së votave lumë në favor të socialistëve dhe progresistëve", duke shprehur bindjen se PS-ja do të jetë fituese në zgjedhjet e së dielës. Zgjerimi i tregut të Lushnjës dhe investime që kapin vlerën e 100 mijë dollarëve për traktorë të rinj për punimin e tokës, si dhe projekti për heqjen e akcizës së karburanteve për mekanikën bujqësore, janë konstatimet që Nano ka bërë për investimet në këtë zonë. Ndërsa ka theksuar se puna do të vijojë dhe më tej.

Në qendër të fjalës së Nanos kanë qenë arritjet e qeverisë së PS-së, duke theksuar se forca politike, që ai drejton, është e vetmja që ka eksperiencë në realizimin e reformave dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kundërshtarët

Ai ka sulmuar kundërshtarët e tij politikë, duke i cilësuar si të paaftë. Nano tha, "ne nuk lodhemi, pasi energjinë na e jepni ju që reformat tona transformuese i keni shndërruar dhe po i shndërroni në të mira reale të familjeve dhe fëmijëve tuaj". I shoqëruar nga ministra dhe përfaqësues të selisë socialiste, Kryeministri Nano u ka kërkuar votën zgjedhësve të kësaj zone. Ai tha: "Ditën e diel, ju keni shansin e madh dhe jam e bindur se do ta shfrytëzoni këtë rast për të ndëshkuar me votë të lirë të gjithë shushunjat politike që emrin e komunës tuaj e kanë zhgarravitur në fjalime dhe raporte false brenda e jashtë vendit, që kanë nëpërkëmbur punën dhe nderin tuaj, duke përfituar në mënyrë të padrejtë për vete". Takimin me banorët Nano e ka cilësuar si një festim të parakohshëm të fitores së sigurtë nga forca e tij. Kështu me këtë takim PS–ja i ka dhënë fund propagandës zgjedhore. Fushata për këshillin e komunës së Dushkut ka nisur prej më shumë se dy javë dhe ka pasur angazhimin e të gjithë përfaqësuesve të saj partiakë dhe qeverisës. Ndërsa sot nis heshtja zgjedhore, ku asnjë forcë politike nuk ka të drejtën të bëjë komente për këto zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›