Berisha fton Metën në festën e PD
11/12/2004 Partia Demokratike nuk ka ndërmend të ripërsërisë ftesën e dy vjetëve më parë ndaj kreut të PS-së, Fatos Nano, në festimet e 14-vjetorit të themelimit të saj, por nuk do të mbajë të njëjtin qëndrim me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha dje se Fatos Nano nuk ka vend në festën e demokratëve, pasi ai është shkatërruesi i zgjedhjeve në vend. "Fatos Nano është faktuar armiku më i egër i pluralizmit politik në Shqipëri në raport me zgjedhjet. Ai është vëlla siamez me Sllobon e Beogradit për sa i pëket zgjedhjeve", tha Berisha. Por, të njëjtin qëndrim, PD-ja duket se nuk do mbajë për kreun e LSI-së, kundërshtarin e Nanos, brenda së majtës, Ilir Metën. Berisha tha se si Meta, ashtu dhe Pandeli Majko, sot ministër i Mbrojtjes, kanë qenë ndër ata persona që kanë dhënë kontributin e tyre në ardhjen e pluralizmit në vend. "Nuk e mohoj se Ilir Meta dhe Pandeli Majko kanë qenë eksponentë të lëvizjes së dhjetorit, por çështjet e protokollit janë çështje jo të kryetarit dhe nuk jam në gjendje t'u jap një përgjigje për këtë çështje. Jo vetëm ai, por janë të ftuar dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në dhjetor dhe që i mbajnë vlerat e pluralizmit si vlera të lirisë", tha Berisha. Viti 2002 ka qenë i vetmi në historinë e pluripartizmit shqiptar kur Berisha dhe Nano, pranuan ftesat e njëri-tjetrit për të marrë pjesë në përvjetoret e partive të tyre. Ftesa i shkon Ilir Metës në një kohë kur ky i fundit ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me Nanon përpara zgjedhjeve. Lidhur me deklaratën e bërë nga kryetari i Partisë Demokratike, Berisha, për një ftesë publike për kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, në koncertin që organizon PD me rastin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, shefi i Marrëdhënieve me Publikun, pranë LSI, Dritan Ylli, tha se "kryetari i LSI, Ilir Meta, gjatë kësaj fundjave, përkatësisht ditën e shtunë dhe ditën e diel, ka një axhendë pune mjaft të ngjeshur me takime të rëndësishme, në juglindje të Shqipërisë. Ditën e shtunë, Meta është i ftuar në një takim rajonal me anëtarë dhe simpatizantë të LRI, që do të zhvillohet në Pogradec, ndërsa ditën e diel, Meta do të zhvillojë disa takime në Tepelenë me strukturat e LSI-së. Së dyti, vlerësojmë se këto lloj dallimesh publike që bën Berisha janë më tepër diversione politike dhe jo vlerësim i kontributit të Metës në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit ‘90 dhe shprehim keqardhjen që Berisha dhe PD identifikohen me pluralizimin dhe demokracinë në Shqipëri.