E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetel fiton ne Indi

Sebastian Fetel fitoi Çmimin e Madh të Indisë në Formula 1, duke kryesuar nga fillimi deri në fund dhe duke përballuar konkurrencën e rivalit kryesor të tij për titullin kampion, Fernando Alonso.
Gjermani i Red Bullit fitoi garën e katërt radhazi, duke lënë prapa spanjollin e Ferrarit me mbi 10 sekonda dhe tani ka një epërsi prej 13 pikësh në krye të renditjes, duke pasur 240 pikë ndaj 227 të Alonsos, kur mbeten 3 gara deri në përfundim të kampionatit botëror.
Fetel u nis nga “pole position” duke e ruajtur vendin e parë pa e humbur për asnjë xhiro, ndërsa Alonso ia doli të kalonte Meklarenin e Hamiltonit, duke dalë i katërti dhe, pak xhiro më pas, parakaloi edhe Meklarenin e Xhenson Batonit.
Gara u bë e nxehtë në 10-15 xhirot e fundit kur Alonso arriti të parakalonte Ueberin që ishte i dyti që nga fillimi, por diferenca ishte e madhe me kreun, duke e bërë të pamundur fitoren në Indi.
Kështu, kampioni në fuqi i botës, Fetel, është favorit për ta ruajtur kurorën edhe për këtë sezon dhe ky do të ishte viti i tretë radhazi, diçka që shumë pak pilotë e kanë realizuar në historinë e këtij sporti.
Vetëm Mikael Shumaher dhe Huan Manuel Fangio ia kanë dalë të shpallen kampionë të botës në këtë sport 3 herë e më shumë. Shumaher mban rekordin me 5 tituj radhazi me Ferrarin në vitet 2000-2004, ndërsa Fangio ka fituar 4 herë radhazi në vitet 1954-1957.
Renditja për pilotë: 1. Fetel 240 pikë; 2. Alonso 227; 3. Raikonen 173; 4. Ueber 167; 5. Hamilton 165; 6. Baton 141; 7. Rosberg 93.
Renditja për skuadra: 1. Red Bull 407; 2. Ferrari 316; 3. Meklaren Mercedes 306; 4. Lotus 263; 5. Mercedes 136.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›