Moto GP - Lorenco kampion
Spanjolli Horge Lorenco u shpall kampion i botës në Moto GP për vitin 2012, pasi doli i dyti në garën e zhvilluar në Australi sot në mëngjes, sipas orës shqiptare.
Lorencos i mjaftoi vendi i dytë pas vendasit dhe ish-kampionit Kejsi Stoner, për të fituar pikët e duhura për suksesin e madh, ndërsa rivali i tij i vetëm, Dani Pedroza, u rrëzua gjatë garës.
Ky ishte titulli i dytë kampion në karrierë në këtë kategori për spanjollin e Jamahës, ndërsa Pedroza i Hondës ka 43 pikë më pak sesa ai, diferencë e pamundur për t’u përmbysur kur ka mbetur edhe vetëm 1 garë deri në përfundim të sezonit.
Për Kejsi Stonerin kjo në Filip Ajlënd ishte fitorja e gjashtë radhazi në vendin e tij të lindjes, një sukses jo i vogël dhe pse është vetëm një ngushëllim. Habia më e madhe është që ky australian i shkëlqyer do të tërhiqet nga sporti në fund të këtij sezoni, duke mos qenë më mbi Hondën e tij.
Në garën e Australisë, në vend të tretë doli Kal Kraçlou i Britanisë së Madhe, i katërti ishte Andrea Doviciozo i Italisë, ndërsa italiani tjetër i Dukatit, Valentino Rosi doli vetëm në vendin e 8-të, duke i shtuar një tjetër zhgënjim këtij sezoni tepër të dobët për të.
Nëntë herë kampioni i botës, prej të cilëve 7 në kategorinë maksimale, shpreson të paraqitet më mirë sezonin e ardhshëm kur të kalojë tek Jamaha, pra duke qenë shok skuadre me kampionin e ri të botës.
Renditja e Botërorit: 1. Lorenco 350 pikë; 2. Pedroza 307; 3. Stoner 238; 4. Doviciozo 208; 5. Bautista 165.